Tërmeti 7.6 ballë godet Japoninë, pason cunami deri në 1 metër dhe paslëkundje të fuqishme 5.6 ballë

Data

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter goditi prefekturën Aomori në Japoninë veriore pak pas orës 23:00 të së hënës, duke shkaktuar panik të madh në zonat bregdetare dhe duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për cunami.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA), epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 80 kilometra larg bregut lindor të Aomorit, në një thellësi prej 50 kilometrash. Paralajmërimi për cunami u dha për tre prefektura: Aomori, Hokkaido dhe Iwate.

Menjëherë pas tërmetit, në disa zona u regjistruan dallgë cunami me lartësi 30 deri në 70 centimetra, ndërsa më vonë u konfirmua se dallgët arritën deri në 1 metër lartësi. Autoritetet u bënë thirrje banorëve të largohen menjëherë nga zonat bregdetare dhe të zhvendosen në territore më të larta për siguri.

Intensiteti i tërmetit sipas shkallës japoneze, e cila vlerëson ndikimin e lëkundjeve, ishte 6+, një nivel që konsiderohet tepër i fortë dhe mund të shkaktojë dëmtime serioze në infrastrukturë.

Rreth 20 minuta pas goditjes kryesore, një paslëkundje e fuqishme me magnitudë 5.6 ballë u regjistrua në të njëjtën zonë detare. Dridhjet u ndjenë deri në Tokio, sipas raportimeve të mediave lokale.

Japonia ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, ku përplasen disa pllaka tektonike, dhe çdo vit regjistron deri në 2,000 tërmete të vogla dhe të mëdha. Vendi mban edhe rekordin për një nga ngjarjet më të rënda sizmike të historisë moderne: tërmeti i vitit 2011, i cili shkaktoi një cunami gjigant me valë deri në 40 metra dhe pasoja katastrofike.

Deri tani nuk janë raportuar viktima, por ekipet e shpëtimit dhe autoritetet lokale vijojnë monitorimin e situatës dhe verifikimin e dëmeve të mundshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related