“Sistemi i padrejtë po largon të rinjtë” – Mesazhi i Jorida Tabakut në Ditën e Rinisë: Koha për ndryshim, Shqipëria ka nevojë urgjente për meritokraci

Data

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka dhënë një mesazh të fortë në lidhje me krizën demografike dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi. Ajo theksoi se Shqipëria po përballet me një situatë dramatike, ku një sistem i padrejtë po pengon zhvillimin dhe po detyron rininë të kërkojë të ardhmen jashtë kufijve.

Sipas të dhënave që Tabaku përmendi, në 13 vitet e fundit numri i të rinjve në vend është tkurrur me 45%, ndërsa një në dy të rinj është larguar nga Shqipëria, në kërkim të meritokracisë dhe një jete më të drejtë.

“Ëndrrat e një brezi që solli ndryshimin 35 vite më parë po treten. Sot përballemi me një realitet ku rinisë i mbyllen dyert dhe i zëvendësohen mundësitë me klientelizëm,” u shpreh Tabaku.

Ajo ndau edhe përvojën e saj si pedagoge, duke treguar se dhjetëra studentë të talentuar janë larguar nga vendi për shkak të mungesës së shanseve të barabarta dhe meritokracisë.

“Ky sistem nuk punon për ta. Punon për të pazotët, për klientët e pushtetit,” deklaroi deputetja, duke e konsideruar këtë një “plagë kombëtare”.

Thirrja për ndryshim

Tabaku theksoi se Shqipëria ka urgjencë kombëtare për të rikthyer meritokracinë, për të hapur tregun e punës dhe për të ngritur një sistem arsimor që përgatit të rinjtë për të ardhmen, jo për emigracionin.

“Koha ka ardhur të ndërtojmë një Shqipëri të ndershme dhe të drejtë. Një Shqipëri që u jep mundësi të rinjve, jo t’i detyrojë të ikin,” u shpreh ajo.

Ajo e mbylli mesazhin duke theksuar se vendi duhet t’u kthejë shpresën të rinjve dhe të rikthejë vizionin evropian të vitit 1990, i cili i dha Shqipërisë pluralizmin dhe lirinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related