Ermal Gora, 46 vjeç, banues në Tiranë, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë në kuadër të operacionit policor “The Wanted”.
Sipas Policisë së Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprat penale:
- “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”
- “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.
Gora dyshohet se në maj të vitit 2023, në bashkëpunim me tre persona të tjerë, ka tentuar të vrasë një shtetas në qytetin e Beratit. Ngjarja kriminale u parandalua në kohë nga Policia e Beratit, në kuadër të operacionit “Objektivi”.
Për të njëjtën çështje janë arrestuar më herët edhe shtetasit Hamit Berisha nga Kosova dhe Arli Shehu nga Korça, të dy të dyshuar si pjesë e grupit që do të kryente vrasjen.
Ekstradimi i Gora-s u bë i mundur pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat për veprime të mëtejshme.
