Një tjetër arratisje spektakolare ka tronditur sot Italinë, pasi Taulant Toma, një prej të dënuarve më problematikë dhe të rrezikshëm shqiptarë, ka arritur t’i shpëtojë sërish mbikëqyrjes së burgut të sigurisë së lartë në Opera të Milanos. 41-vjeçari, i dënuar për grabitje të rënda dhe i cili duhej të qëndronte pas hekurave deri në vitin 2041, ka realizuar arratisjen gjatë orëve të para të mëngjesit të 7 dhjetorit.
Sipas informacioneve paraprake, Toma ka prerë hekurat e qelisë dhe ka arritur të largohet duke përfituar nga errësira dhe momenti i ndërrimit të turnit të rojave. Autoritetet italiane e konsiderojnë arratisjen “të planifikuar në detaje”, duke vënë në dukje shpejtësinë dhe saktësinë me të cilën është realizuar.
I lindur më 9 qershor 1984, Toma ka një histori të gjatë arratisjesh dhe përplasjeje me drejtësinë në Itali, Belgjikë dhe vende të tjera të Europës. Ai ishte bërë i famshëm për arratisjen nga burgu i Parmës, së bashku me bashkëkombësin e tij Vamentin Frokaj, i cili më vonë u vra gjatë një grabitjeje. Përpara kësaj, Toma kishte sfiduar autoritetet edhe në Belgjikë, ku u arratis nga një qendër paraburgimi dhe u arrestua vetëm pas një ndjekjeje të gjatë ndërkombëtare.
Në dosjen e tij njihet edhe rasti i vitit 2013, kur policia italiane e kërkoi për 40 ditë rresht, ndërsa ai në fakt kishte qenë i arrestuar në Belgjikë që prej 11 shtatorit të atij viti. Prokuroria e Parmës e konsideroi atë rast “absurd”, duke kërkuar sqarime nga institucionet qendrore.
Edhe këtë herë, arratisja ka vënë në alarm të gjithë strukturat italiane. Prefektura ka aktivizuar një plan masiv kërkimi, që përfshin kontrolle në zona të hapura, pika bllokimi në rrugët kryesore, vëzhgim të stacioneve të transportit dhe monitorim të kufijve të brendshëm. Autoritetet hetojnë edhe mundësinë që Toma të ketë marrë ndihmë nga jashtë apo të jetë pjesë e një rrjeti kriminal aktiv.
Ekziston frika se ai mund të tentojë largimin nga Italia ose rikthimin pranë grupeve kriminale në Europën Veriore, ku më herët ka pasur lidhje të dokumentuara.
Ndërkohë, drejtoria e burgjeve në Itali është vënë nën presion të madh, pasi kjo nuk është hera e parë që Toma arratiset nga një institucion me siguri maksimale, duke sfiduar sistemin penitenciar dhe autoritetet ligjzbatuese.
