Milani po përgatitet për ndërhyrje të rëndësishme në repartin ofensiv, teksa nevoja për një sulmues të ri është bërë gjithnjë e më urgjente. Detyra kryesore i takon drejtorit sportiv Igli Tare, i cili pritet të drejtojë merkaton dimërore të kuqezinjve.
Në konferencën e sotme për shtyp, një ditë para ndeshjes kundër Torinos, trajneri Maksimiliano Alegri u pyet nëse ka kërkuar afrimin e një sulmuesi të ri.
“Sa i përket merkatos, nuk kam nevojë të flas për të. Ka ende kohë, rreth një muaj”, u shpreh tekniku italian, duke shmangur komentet e drejtpërdrejta, por duke lënë të nënkuptohet se lëvizjet janë çështje kohe.
Kuqezinjtë po zhvillojnë një sezon pozitiv në Serie A dhe mbeten në garë të fortë për kreun. Me vetëm dy pikë larg Interit, Milani ka mundësinë që nesër, në orën 20:45, të marrë sërish vendin e parë në renditje.
Pranë janarit, pritet që puna e Tares të jetë vendimtare për forcimin e skuadrës dhe stabilizimin e sulmit, një repart që shihet si prioritet absolut nga drejtuesit.
