Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës reaguan me tone të forta pas deklaratës së SPAK, i cili bëri të ditur se Erion Veliaj është njohur me aktet e procedimit penal dhe se i janë vënë në dispozicion materialet në format elektronik. Sipas Prokurorisë së Posaçme, tetë seanca gjyqësore janë shtyrë për shkak të mungesës së pajustifikuar të mbrojtjes.
Por avokatët e Veliajt e kundërshtojnë këtë version, duke pohuar se kërkesat për kohë shtesë nuk kanë pasur asnjë qëllim vonese, por janë domosdoshmëri për të përballuar volumin e jashtëzakonshëm të dosjes, e cila përfshin rreth 60 mijë faqe dokumente, analiza financiare dhe materiale teknike.
Mbrojtja: “Nuk kemi ende qasje në provat e dosjes”
Në reagimin e tyre, avokatët theksojnë se pavarësisht deklarimit të SPAK-ut, Veliaj nuk ka në dispozicion asnjë provë të plotë të çështjes.
“Procesi nuk mund të vazhdojë pa u garantuar njohja reale, jo formale, me aktet. Deri tani ky standard nuk është siguruar,” – shprehet mbrojtja.
Sipas tyre, çdo shtyrje seance është miratuar nga gjykata pas vlerësimit të argumenteve ligjore, ndërsa pretendimi i SPAK-ut për mungesa të pajustifikuara e cilësohet “i pasaktë dhe i pajustifikuar”.
“Dosja kërkon qindra orë punë – kërkojmë vetëm respektimin e ligjit”
Avokatët sqarojnë se për të lexuar 60 mijë faqet e dosjes, do të duheshin 20–40 avokatë me kohë të plotë për një muaj, çka e bën të pamundur përgatitjen efektive të mbrojtjes brenda afateve të parashikuara.
“Nuk synojmë vonesë. Synojmë vetëm të drejtën kushtetuese për t’u njohur me aktet dhe për të përgatitur mbrojtjen,” – thuhet në deklaratë.
Ata theksojnë se kjo e drejtë buron nga Kushtetuta dhe nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Pretendimi tjetër: SPAK ka kryer veprime jashtë afatit
Një tjetër shqetësim i ngritur nga mbrojtja lidhet me pohimin e SPAK se disa veprime hetimore janë kryer jashtë afateve zyrtare. Kjo, sipas avokatëve, ngre dyshime të ligjshme mbi përputhshmërinë e materialeve të depozituara në gjykatë.
“Është thelbësore që mbrojtja të ketë akses të plotë në dosjen gjyqësore, sepse mbi atë dosje do të zhvillohet gjykimi,” – theksojnë ata.
Mbrojtja i bën thirrje SPAK-ut: Fokus në gjykatë, jo në deklarata publike
Në fund të deklaratës, avokatët i kërkojnë Prokurorisë së Posaçme të përqendrohet te detyrimet ligjore dhe të shmangë presionin publik:
“Deklaratat jashtë sallës së gjyqit nuk zëvendësojnë transparencën. Procesi duhet të jetë real, jo formal.”
Sipas tyre, trajtimi i çështjes deri tani rrezikon të kthehet në standarde që cenojnë parimin e “procesit të drejtë”.
