Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar fort ndaj mënyrës se si qeveria po trajton çështjen e detit me Greqinë, duke akuzuar për mungesë transparence dhe për rrezikimin e interesave kombëtare. Ish-presidenti thotë se kjo çështje nuk po trajtohet me seriozitetin e duhur dhe paralajmëron pasoja të pakthyeshme nëse Shqipëria shkon në Gjykatën e Hagës për “të gjithë çështjen”.
Meta kujton se ka ndjekur procesin për gati 13 vite, nga koha kur ishte ministër i Jashtëm e më pas si President i Republikës. Ai sjell në vëmendje marrëveshjen e vitit 2020 mes kryeministrit Rama dhe ish-ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, sipas së cilës palët ranë dakord t’i drejtohen Hagës për zgjidhjen e çështjes. Por sipas Metës, ky vendim e bëri nul progresin e arritur në negociatat e vitit 2018.
Meta: Shkuarja në Hagë rrezikon vijën bazë dhe 40 km² det shqiptar
Sipas Metës, nëse Shqipëria shkon në Hagë për “të gjithë çështjen”, atëherë:
- Të gjitha dakordësitë e vitit 2018 bien poshtë
- Protokolli i Firences 1925 nuk merret më parasysh
- Rrezikohet vija e drejtë bazë, e cila deri më sot ka qenë në favor të Shqipërisë
- Humbet potencialisht 40 km² sipërfaqe detare
“Dakordësitë e vitit 2018 bëhen NUL dhe çështja konsiderohet mosdakordësi. Rrezikojmë të na rrëzohet vija e drejtë bazë, siç ndodhi në rastin Somali–Kenia,” shkroi Meta.
Ai shton se sipas raportit të kompanisë ligjore “Omnis Strategy”, të kontraktuar nga qeveria për 3 milionë euro, ekziston rreziku real që Gjykata Ndërkombëtare të mos njohë vijën e drejtë bazë të Shqipërisë.
“Mos e trajtoni si tender të fshehtë, si tokat e Gjipesë!”
Meta kritikon ashpër qeverinë për mungesë transparence dhe i bën thirrje institucioneve të përfshihen për të shmangur gabime të pariparueshme.
“Ju lutem të gjithëve të mos e trajtoni çështjen e detit si tokat e Gjipesë apo si tender sekret. Nuk do të ketë më mundësi korrigjimi,” thekson ai, duke kërkuar mbështetje për ministren e Jashtme në vizitën e saj të afërt në Athinë.
Meta: Qeveria ka dizinformuar Greqinë, ndërsa Kuvendi nuk është informuar
Sipas Metës, gjatë viteve 2020–2022 qeveria ka shmangur komunikimin institucional dhe ka dizinformuar palën greke, duke pretenduar se Presidenti i asaj kohe pengonte procesin. Ai shton se deputetët, komisionet parlamentare dhe institucione të tjera nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar rreth përmbajtjes së negociatave.
Meta pyet publikisht:
- A ekziston një draft-marrëveshje speciale?
- Për çfarë çështjesh synohet të shkohet në Hagë?
- Ka përputhje mes draftit shqiptar dhe atij grek?
- A është informuar Presidenti, Kuvendi dhe komisionet përkatëse?
Thirrja e fundit: “Konsultohuni me negociatorët e 2018-s dhe ish-gjyqtarët e Kushtetueses”
Meta sugjeron rikthimin e ekspertizës së negociatorëve të vitit 2018 dhe ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se vendimet e tyre ishin bazë e sigurt ligjore për interesat shqiptare.
“Në mënyrë transparente dhe profesionale, ndihmoni Ministren e Jashtme të ketë një vizitë të suksesshme në Athinë,” përfundon ai.
