Armando Broja do ta nisë sot titullar për herë të parë në Premier Ligë me fanellën e Bërnlit, një vendim surprizë i trajnerit në prag të sfidës së javës së 15-të kundër Njukasëllit.
Debutimi si titullar në kampionat
Është pikërisht hera e parë që sulmuesi i Kombëtares shqiptare aktivizohet nga minuta e parë në kampionat që prej transferimit te Bërnli. Në pesë ndeshjet e fundit të Premier Ligës, Broja është përdorur gjithmonë si zëvendësues.
Skuadra e tij vjen pas një serie negative me pesë humbje radhazi dhe gjendet në zonën e ftohtë të renditjes, duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria. Ndaj Njukasëllit, që cilësohet favorit i qartë, Bërnli shpreson të ndryshojë ecurinë.
Mundësi e artë për Brojën
Për 24-vjeçarin, ndeshja përfaqëson një shans të madh për t’u rikthyer te goli në Premier Ligë — diçka që i mungon që nga sezoni i kaluar.
Broja ka qenë titullar vetëm në ndeshjet e Kupës EFL me Bërnlin, ndërsa sot merr më në fund besimin në kampionat.
