Roja Bregdetare e SHBA-së ka realizuar një nga goditjet më të mëdha kundër trafikut të drogës në Paqësorin Lindor, duke sekuestruar më shumë se 4 tonë kokainë pranë brigjeve të Meksikës.
Snajperi qëllon motorët e skafit me saktësi kirurgjikale
Pamjet e publikuara nga Fox News Digital tregojnë momentin kur një snajper i njësisë elitare HITRON qëllon nga helikopteri dhe neutralizon motorët e një motoskafi të dyshuar për transport droge.
Qëllimi ishte ndalimi i mjetit pa e fundosur, për t’i mundësuar ekipit të Rojës Bregdetare të sekuestronte drogën. Sasia e kapur përkthehet në 7.5 milionë doza të rrezikshme në treg.
Operacioni “Pacific Viper”: Goditja më e madhe e vitit
Aksioni është pjesë e operacionit të gjerë “Pacific Viper”, një bashkëpunim midis Rojës Bregdetare dhe Marinës Amerikane, i nisur në gusht, në kuadër të ofensivës ndaj karteleve të drogës në Amerikën Latine.
Snajperët e Rojës Bregdetare janë specializuar në ndalimin e mjeteve të shpejta të trafikut, duke shkatërruar motorët me precizion të lartë — një teknikë që është bërë virale në rrjetet sociale.
Viti 2025, rekord historik i sekuestrimeve
Deri në tetor të këtij viti, Roja Bregdetare ka sekuestruar mbi 100 mijë kg kokainë vetëm në Paqësorin Lindor — rreth 800 kg çdo ditë.
Totali i vitit ka arritur shifrën rekord prej 240 mijë kg kokainë të sekuestruar, duke e bërë 2025-ën vitin më produktiv në historinë e luftës kundër trafikut të drogës.
Aksionet shtohen, polemikat rriten
Administrata amerikane ka kryer mbi 20 bastisje të anijeve të trafikut që nga muaji shtator, mes debatit nëse operacionet ndërkombëtare kryhen me autoritet të plotë ligjor.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë deklarojnë se veprimet janë të autorizuara dhe se goditja e rrjeteve të kokainës mbetet prioritet strategjik.
