Seanca paraprake për Ilir Metën, mbërrijnë dy avokatët: “GJKKO ose i kthehet ligjit, ose ne nuk tërhiqemi”

Data

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet sot seanca paraprake për Ilir Metën, ku pritet të vendoset nëse dosja ndaj ish-presidentit do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.

Para nisjes së seancës, në GJKKO u paraqitën avokatët mbrojtës të Metës, Gylsen Zhllima dhe Kujtim Cakrani. Ky i fundit, duke folur për gazetarët, u shpreh me tone të forta:

“Duhet të kuptoni diçka: kjo gjykatë ose do t’i kthehet ligjshmërisë, ose ne nuk i ndahemi.”

Në seancën e mëparshme, Ilir Meta ishte i pranishëm personalisht, por shqyrtimi u shty pasi ai kërkoi kohë për t’u njohur me një pjesë të akteve, duke pretenduar se i ishte vënë në dispozicion vetëm kërkesa për dërgimin e çështjes në gjyq.

Avokati Cakrani ka deklaruar më herët se Meta do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore. Ndërkohë, pak ditë më parë, kreu i Partisë së Lirisë depozitoi një kërkesë në GJKKO për të mos u vendosur në kafazin e të pandehurve gjatë gjykimit, duke e cilësuar këtë si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe standardeve të të drejtave të njeriut.

Në kërkesë theksohej se nëse gjykata nuk do të merrte në konsideratë pretendimin e tyre, Meta dhe mbrojtja e tij do të refuzonin pjesëmarrjen në seanca.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related