Një 57-vjeçar në Elbasan është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se dhunoi fizikisht dhe kërcënoi me thikë bashkëshorten e tij, duke rrezikuar përshkallëzimin e konfliktit në një krim të rëndë në familje.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Haxhias”, ku policia ndërhyri menjëherë pas njoftimit të marrë. Efektivët lokalizuan dhe arrestuan në flagrancë të dyshuarin N.K., i cili akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan dy thika, të cilat dyshohet se përdoreshin për kanosjen ndaj bashkëshortes.
“Falë reagimit të shpejtë u parandalua një ngjarje e mundshme më e rëndë”, njoftoi policia vendore.
Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë së Elbasanit për vijimin e hetimeve, ndërsa pritet që viktima të pajiset me urdhër mbrojtjeje sipas parashikimeve ligjore.
