Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, Prokuroria e Tiranës çon për gjykim 8 të pandehur – tre kosovarë dënohen me burg

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë persona të përfshirë në një rrjet trafikimi armësh nga Kosova drejt Shqipërisë. Çështja përfshin dy procedime të bashkuara dhe një hetim të gjerë të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet kosovare dhe Eurojust.

Sipas Prokurorisë, shtetasit T. Sh., G. Ll., E. M. dhe A. M. akuzohen për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit, ndërsa E. Th., M. K., B. K. dhe V. O. akuzohen për trafikim armësh dhe municionesh.

Tre kosovarë dënohen me burg

Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar tre nga të pandehurit kosovarë:

  • B. K. – 8 vite burg për trafikim armësh
  • M. K. – 6 vite e 8 muaj burg për trafikim armësh
  • E. Th. – 7 vite burg për trafikim armësh

Pesë të tjerë dërgohen për gjykim

Për pesë të pandehurit e tjerë, çështja është dërguar në gjykim: katër prej tyre për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve, ndërsa shtetasi V. O. për trafikim armësh.

Hetimet: rrjeti blinte dhjetëra armë për trafikim

Procedimi penal nisi pas informacioneve se shtetasit kosovarë B. K. dhe M. K. kishin blerë një sasi të madhe pistoletash të tipit “Zoraki”, me qëllim trafikimin e tyre në Shqipëri.

Hetimet e përbashkëta të zhvilluara nga skuadra hetimore e Shqipërisë dhe Kosovës, me mbështetjen e Eurojust, çuan në një operacion të përmasave të mëdha, ku u arrestuan 16 persona dhe u sekuestruan 64 armë zjarri dhe municione në të dy vendet.

Përveç përgjimeve ambientale, hetimet përfshinë edhe blerje të simuluara, të cilat vërtetuan se të pandehurit kishin konsumuar veprat penale të trafikimit dhe posedimit të paligjshëm të armëve.

Çështja tashmë i kalon gjykatës, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin kriminal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related