Igli Tare, tashmë drejtor sportiv i Milanit, u rikthye në “Olimpico” për herë të parë si kundërshtar i Lacios, duke ngjallur mall e emocione pas 17 viteve të historisë së tij bardhekaltër. Para ndeshjes, ai dha një intervistë që solli edhe momente humori, sidomos kur u pyet për rinovimin e portierit Majk Menja, duke shkaktuar batuta te kapiteni dhe stafi.
Rikthim me emocion në “Olimpico”
“Ndjenja është e fortë, s’e fsheh dot,” u shpreh Tare.
“Aty përshëndeta shumë njerëz që më kanë trajtuar mirë për 17 vite. E dimë që Lacio është kundërshtar i rrezikshëm dhe do shkojë deri në fund. Ne u përgatitëm mirë dhe bëmë disa ndryshime në formacion.”
Jashari më në fund titullar – e ardhmja e mesfushës
Tare foli me nota entuziazmi për Ardon Jasharin, që u aktivizua nga minuta e parë:
“Që të kesh një mësues si Modriç është avantazh i jashtëzakonshëm. Ai dhe Ardon kanë një marrëdhënie të fortë. Ne jemi të bindur për cilësitë e tij dhe kjo u pa në dy javët e fundit nga mënyra si stërvitet. Jemi të lumtur që pritja e gjatë mbaroi.”
Reagimi i Milanit dhe puna e Allegrit
“Skuadra reagoi mirë, nuk ishte e lehtë sepse ndryshuam shumë,” tha Tare.
“Alegri ka bërë punë të shkëlqyer në aspektin e mentalitetit të grupit. Rezultatet flasin, por sezonin e kemi ende gjatë dhe plot sfida.”
Rinovimi i Menja? Tare përgjigjet me humor
Kur u pyet për kontratën e portierit të tij të parë, Tare nuk i fshehu batutat:
“Nuk mund ta dëgjoj… (qesh). Po bëj shaka. Përqendrohemi te ndeshja. Majk është i jashtëzakonshëm. Do të kërkojmë rrugën e duhur, në kohën e duhur.”
Një deklaratë që shkaktoi të qeshura, por që la të kuptohej se bisedimet për rinovimin do të vijnë natyrshëm dhe pa presion.
