Alegri i zhgënjyer pas eliminimit: “Kush fiton ka të drejtë. Nuk na duhet sulmues, por më shumë mesfushorë që shënojnë”

Data

Masimiliano Alegri nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes së Milanit kundër Lacios në “Olimpico”, që solli eliminimin e kuqezinjve nga Kupa e Italisë. Trajneri pranoi se ndeshja nuk u administrua si duhet, sidomos duke qenë se skuadra luajti me shumë elementë të formacionit të dytë.

“Në futboll kush fiton ka gjithmonë të drejtë,” – deklaroi ai për Mediaset.

“Lacio shënoi në një ndeshje të mbyllur ku gabimi i parë bëhej fatal. Ne patëm raste, por nuk shënuam, ndërsa ata e gjetën golin nga një goditje këndi që duhej ta mbronim më mirë.”

Alegri kritikoi rëniet e skuadrës në momentet kur ka kontrollin, si dhe gabimet e përsëritura në situata të topave të ndalur, një problem që është shfaqur edhe në ndeshjet e fundit.

“Kur kemi kontrollin e lojës, rrezikojmë shumë vetë. Dhuruam topa, pastaj një goditje dënimi e një këndore dhe e përsëritëm gabimin si ndaj Kremoneses dhe Pizës,” – theksoi ai.

Sa i përket merkatos së janarit, trajneri befasoi:

“Një sulmues? Jo, nuk është përparësi. Pulisiç dhe Leao kanë 10 gola së bashku. Ne kemi nevojë për më shumë gola nga mesfusha, më shumë saktësi në goditjet standarde. Po presim edhe rikthimin e Himenez.”

Alegri kërkoi të mos bie pesimizmi në skuadër, duke kujtuar se kampionati dhe objektivi i Champions-it mbeten ende të hapura, para se Milani të ndeshet me Torinon, Sasuolon dhe më pas në Superkupën e Italisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related