Humbja ndaj Leverkusenit nxjerr në sipërfaqe krizat e Dortmundit: mungesë ideje, gabime dhe alarm për merkaton

Data

Borussia Dortmund doli e dorëzuar 0-1 nga sfida e Kupës së Gjermanisë kundër Bayer Leverkusenit, një humbje që zbuloi probleme të thella taktike dhe teknike të ekipit verdhezi. Ndeshja e vlefshme për raundin e 16-të solli zhgënjim të madh te skuadra e Niko Kovaçit, e cila shpërdoroi raste të pastra dhe gaboi rëndë në aksionin që solli golin vendimtar.

Një shpërqendrim, një gol dhe një eliminim i hidhur

Goli i vetëm i sfidës erdhi pas një zinxhiri gabimesh të Dortmundit. Karim Adeyemi u rrëzua pas një dueli, ndërsa Niko Schlotterbeck nisi presingun e lartë sipas skemës së trajnerit. Por pjesa tjetër e skuadrës nuk ndoqi lëvizjen, duke lënë hapësira të mëdha për rivalët.

Leverkuseni ndërtoi aksionin që nga portieri Mark Flecken dhe, pas kombinimeve të shpejta, ishte Ibrahim Maza ai që përfitoi, duke shënuar golin vendimtar – me pak fat, pasi fillimisht humbi kontrollin e topit.

Trajneri Kovaç mbrojti lojtarët e tij, duke thënë:

“Në këtë nivel, detajet vendosin ndeshje. E kishim situatën nën kontroll, por topi ra te këmbët e kundërshtarit. Kjo tregon se sa e brishtë është fati në futboll.”

Finalizimi, problemi më shqetësues

Edhe pse nuk zhvilloi një ndeshje të keqe, Dortmundi ishte i pafuqishëm para portës. Shlotterbeck e pranoi se skuadra duhej të kishte barazuar para pushimit, ndërsa kapiteni Emre Can foli qartë:

“Krijuam disa raste të mira, por nuk i shndërruam. Kjo është arsyeja pse humbëm.”

Dortmundi lejoi vetëm dy raste të rrezikshme nga Leverkuseni, por sërish doli nga fusha i humbur – një tregues i qartë i efikasitetit të skuadrës kundërshtare dhe dobësive të vetë BVB-së.

Alarm për merkaton e janarit

Humbja ka ndezur alarmin në klub. Niko Kovaç pritet të kërkojë përforcime, sidomos në fazën e fundit të sulmit, ku mungon qartësia, shpejtësia dhe kreativiteti. Mungesa e ideve dhe e lojtarëve të aftë për të bërë diferencën po e shoqëron Dortmundin prej javësh.

Sfida e radhës: Hoffenheim

Dortmundi duhet të reagojë urgjentisht. Të dielën përballen me Hoffenheimin, një rival direkt në renditje, dhe gabimet nuk kanë më hapësirë. Ndryshe, sezoni rrezikon të kthehet në një tjetër zhgënjim të madh për klubin dhe tifozët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related