Një gjykatë në Beograd ka caktuar një muaj paraburgim për shtetasin e Kosovës, Avni Qenaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u arrestua nga autoritetet serbe më 25 nëntor në pikëkalimin kufitar Merdare, ndërsa po udhëtonte drejt Bosnjës për çështje familjare.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ndaj Qenajt është hapur procedurë penale në Serbi për gjoja krime lufte të vitit 1999, akuza që institucionet kosovare i cilësojnë të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
“Arrestimi i tij përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Presion psikologjik, por pa dhunë fizike
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, e vizitoi Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime Lufte. Sipas Ministrisë, Qenaj ka deklaruar se ka qenë i ekspozuar ndaj presionit psikologjik gjatë arrestit policor, por jo ndaj keqtrajtimeve fizike.
Ai nuk është vizituar ende nga familjarët, të cilët pritet të udhëtojnë drejt Serbisë ditët në vijim. Ata kanë angazhuar katër avokatë për mbrojtjen e tij.
Reagime nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë të ditur se Qenaj, nga fshati Romajë i Prizrenit, ka shërbyer në brigadën 138 “Agim Ramadani” gjatë luftës. Nënkryetari i organizatës, Gazmend Syla, deklaroi se policia serbe i ka gjetur Qenajt edhe kartelën e veteranit gjatë kontrollit.
Pretendimet e Serbisë
Autoritetet serbe pretendojnë se në vitin 1998, Qenaj i ishte bashkuar shtabit lokal të UÇK-së në Romajë dhe se në prill 1999 ka marrë pjesë në sulmin ndaj postbllokut kufitar serb në Koshare, një nga betejat më të njohura të luftës së Kosovës.
Vitet e fundit, Serbia ka arrestuar disa qytetarë të Kosovës nën dyshime për krime lufte, duke shkaktuar shqetësime të vazhdueshme për ndjekje selektive dhe politike.
Beteja e Koshares – një nga kapitujt më të rëndësishëm të luftës së 1999
Postblloku ushtarak në Koshare ishte një pikë kyçe e Ushtrisë së Jugosllavisë. Më 9 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, aty nisën luftime të ashpra midis UÇK-së dhe forcave jugosllave, të cilat zgjatën 67 ditë.
- Serbia njofton se në betejë u vranë 108 ushtarë jugosllavë
- Kosova deklaron se UÇK-ja humbi 114 luftëtarë
Ushtria jugosllave u tërhoq më 14 qershor 1999, pas marrëveshjes që i dha fund bombardimeve të NATO-s, të cilat filluan pas masakrës së Reçakut.
Në Serbi, 9 prilli njihet si ditë “heroike” e forcave jugosllave, ndërsa në Kosovë përkujtohet si simbol i rezistencës dhe i fitoreve të UÇK-së.
