Deputetët socialistë rrëzuan të enjten kërkesën e opozitës për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, lidhur me marrjen të pandehur të zv.kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera me vlerë rreth 210 milionë euro.
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, argumentoi se interpelanca në këtë moment nuk mund të zhvillohej, pasi çështja është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Është ky organ që do të japë një interpretim përfundimtar mbi kompetencat dhe ndarjen e pushteteve mes institucioneve. Çdo përpjekje për të nxjerrë një vendim politik para se të përfundojë shqyrtimi kushtetues mund të cënojë parimet e pavarësisë së institucioneve,” – deklaroi Peleshi nga foltorja.
Belinda Balluku është pezulluar nga funksionet ekzekutive me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila i ka ndaluar gjithashtu daljen jashtë vendit dhe i ka bllokuar pasaportën. Ajo është marrë e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, për dy procedura me vlerë totale 210 milionë euro, ku sipas SPAK dyshohet se janë manipuluar garat në favor të kompanive fituese, në bashkëpunim me vartësit e saj të afërt: Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Kryeministri Rama e ka kundërshtuar vendimin e GJKKO-së duke e konsideruar cenim të kompetencave të tij për emërimin dhe shkarkimin e ministrave, dhe ka depozituar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Përveç kërkesës për “rikthimin” e përkohshëm të Ballukut në detyrë deri në shqyrtimin në themel të çështjes, Rama i ka kërkuar Kushtetueses të zgjidhë edhe konfliktin e kompetencave mes ekzekutivit dhe gjykatës speciale sa i takon pezullimit të një anëtari të Këshillit të Ministrave.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se mbledhja e gjyqtarëve për shqyrtimin paraprak të kërkesës do të mbahet më 12 dhjetor, ndërsa deri atëherë çështja mbetet pezull.
Opozita nuk e pranoi argumentimin e mazhorancës dhe akuzoi shumicën se po mbron një zëvendëskryeministre të pandehur për korrupsion dhe po i shmanget llogaridhënies në Parlament.
“Rama duhet të vijë të japë llogari pse është kaq e domosdoshme për të të mbajë në detyrë një zv/kryeministre të pandehur, pse gënjen kur thotë se është bllokuar puna e qeverisë,” – u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Që nga momenti kur SPAK ka komunikuar zyrtarisht akuzat, as Belinda Balluku dhe as kryeministri Rama nuk janë paraqitur në Kuvend për një seancë të posaçme llogaridhënieje, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës.
