Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi – aktualisht në burg për korrupsion, pastrim parash dhe abuzime me tendera – ka kërkuar gjykim të shkurtuar në procesin që po zhvillohet ndaj tij në Gjykatën e Posaçme.
Berberi, i konsideruar një nga zyrtarët më të rëndësishëm të varësisë së zv/kryeministres së ndaluar Belinda Balluku, ka paraqitur disa kërkesa të tjera procedurale, mes të cilave:
•kthimin e sendeve të sekuestruara,
•fshirjen e korrespondencës,
•moslejimin e përdorimit të të dhënave të marra nga celulari i tij.
Ai u arrestua më 13 mars 2024, pas hetimeve të SPAK-ut, i cili ngriti akuza të forta për korrupsion dhe pastrim parash.
Skema e dyshuar e korrupsionit
Sipas SPAK, Berberi – fillimisht si drejtor i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë dhe më pas si drejtues i ARRSH-së – ka zhvilluar një seri tenderash të manipuluar në favor të kompanisë DAAM, e drejtuar zyrtarisht nga biznesmeni Valter Begaj, por që de facto dyshohet se zotërohej prej vetë Berberit.
Procedurat e dyshuara:
•3 tendera me vlerë rreth 1.2 milion euro në Agjencinë e Efiçencës së Energjisë;
•3 tendera të tjerë me vlerë rreth 1 milion euro gjatë drejtimit të ARRSH-së.
SPAK zbuloi se kompania Net Group, e cila fitonte tenderat e shpallur nga institucionet që drejtonte Berberi, kryente më pas transaksione të rregullta me kompaninë DAAM.
Këto para dyshohet se janë përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme, duke krijuar një skemë të qartë të pastrimit të parave.
Në total, prokurimet e lidhura me këtë skemë përllogariten në mbi 2.7 milion euro me TVSH.
