Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, lëshoi një tjetër seri akuzash të forta ndaj mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama, duke i rikujtuar socialistëve një deklaratë të hershme të kreut të qeverisë.
Berisha tha se nuk ka qenë ai, por vetë Rama, që ka etiketuar Partinë Socialiste me termin “bordello”. Duke iu drejtuar deputetëve socialistë, Berisha u shpreh:
“Unë për ju kam thënë shumë gjëra, nuk e mohoj, por nuk kam thënë kurrë atë që ka thënë Edi Rama. Ai dhe jo unë, ka thënë që PS është një bordello.”
Kryedemokrati ftoi mazhorancën të shkojë në SPAK për të parë dokumentet që, sipas tij, tregojnë qartë karakterin e vërtetë të qeverisjes aktuale.
“Për të parë se kush është bordello, shkoni në SPAK dhe shikoni dokumentet. Atje do të mësoni të vërtetën,” theksoi Berisha nga foltorja e Kuvendit.
Deklaratat e tij erdhën në një seancë të tensionuar parlamentare, ku opozita vijoi akuzat për korrupsion, ndërhyrje në drejtësi dhe përpjekje të qeverisë për të shmangur llogaridhënien.
