Nga Sandra Cvetkoviq & Jellena Jankoviq
Përshtatur në shqip
Një biznesmen nga veriu i Kosovës ndodhet në qendër të një skandali ndërtimor në Serbi, pasi një muri mbajtës u shemb dhe një pjesë e rrugës u rrëshqit në një gropë disa metra të thellë, pranë një godine që po ndërtohet pa leje në Kragujevc, në Serbinë qendrore.
Investitori Radosh Petroviq, me origjinë nga veriu i Kosovës, është pronari pas kompanisë që po ndërton një ndërtesë gjashtëkatëshe në një parcelë pranë Qendrës së Ekselencës – kompleks shkencor që i është dedikuar Universitetit të Kragujevcit. Ngjarja ndodhi më 28 nëntor, por pasojat e saj po zgjerohen në plan ligjor dhe politik.
“Unë nuk mund ta fajësoj as veten, as dikë tjetër. Do të ishte budallallëk. Më e rëndësishmja është që të mos ketë të lënduar,”
– tha Petroviq për Radion Evropa e Lirë.
Shembje spektakolare, hetime në vijim
Pamjet nga shembja e murit dhe rrëshqitja e rrugës u bënë virale në rrjetet sociale. Më 2 dhjetor, Prokuroria Publike në Kragujevc njoftoi se kishte urdhëruar policinë të kryente hetimet në terren, për të përcaktuar rrethanat dhe nëse ka elemente të veprës penale.
Zona pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Gjimnazit të Dytë në Kragujevc është aktualisht e rrethuar me shirita policorë, ndërsa muret e ndërtesës së re që po ngrihet ndodhen vetëm pak metra nga gryka e rrëshqitjes.
Ndërtesë gjashtëkatëshe, por pa leje ndërtimi
Sipas Regjistrit zyrtar të lejeve të ndërtimit në Serbi, në parcelën kadastrale nr. 10410-17, ku po ndërtohet pallati i Petroviqit, nuk është lëshuar asnjë leje ndërtimi.
Kompania “RP Invest 1980”, ku pronare figuron bashkëshortja e tij, Jellena Petroviq, ka paraqitur kërkesën për leje vetëm më 17 nëntor 2025 – dhe ajo është refuzuar një ditë para shembjes së rrugës.
Në qershor kompania kishte marrë vetëm të ashtuquajturat “kushte lokacioni” – një dokument paraprak urbanistik që nuk jep të drejtë për nisjen e punimeve. Megjithatë, sipas imazheve satelitore të Google Earth, pastrimi i terrenit dhe gërmimi kanë nisur të paktën një muaj më parë.
Leja për punë përgatitore (gërmimi i themelit, vendosja e shtyllave) është lëshuar vetëm më 20 tetor, ndërsa satelitët tregojnë se deri më 31 tetor godina kishte tashmë themelin dhe dy-tri kate të ngritura. Sot, ndërtesa ka thuajse gjashtë kate.
Inspektorati i Ndërtimit vizitoi kantierin për herë të parë më 21 nëntor, dhe urdhëroi ndalimin e punimeve “për arsye parandaluese”. Petroviq pretendon se i është dhënë një afat 60-ditor për të plotësuar dokumentacionin e munguar.
I pyetur se si është e mundur që me vetëm një leje për punë përgatitore të ngrihej një pallat gjashtëkatësh, ai u përgjigj:
“Epo, nuk është e mundur, por ja që ndodh.”
Biznes me miliona dhe dy punonjës në letra
“RP Invest 1980” është e regjistruar në Kragujevc për ndërtimin e ndërtesave banesore dhe jobanesore. Sipas të dhënave zyrtare, kompania ka vetëm dy punonjës, por ka realizuar të ardhura operative prej 1.8 miliardë dinarësh (rreth 15 milionë euro) në vitin e fundit.
Në të njëjtën adresë janë të regjistruara edhe “Green Park Building” dhe “RP Euro Invest”, ku Radosh Petroviq është bashkëpronar. “RP Euro Invest” ka gjithashtu dy punonjës, por ka realizuar të ardhura prej rreth 8.3 milionë eurosh.
Sipas faqes zyrtare, këto kompani pretendojnë se kanë ndërtuar 100.000 m² ndërtesa banimi dhe biznesi vetëm në Kragujevc.
Nga Kragujevci në veri të Kosovës: tenderë nga qeveria e Serbisë
Radosh Petroviq është bashkëpronar edhe në kompaninë “RP Gradnja KM DOO Kosovska Mitrovica”, përmes së cilës ka marrë projekte të financuara nga Qeveria e Serbisë në veriun e Kosovës.
Sipas të dhënave të prokurimit publik në Serbi, ai ka fituar tre tenderë, ndër të cilët:
- Ndërtimi i 30 njësive banimi dhe punime të tjera në lagjen “Sunčana dolina” në Zveçan (rreth 2.3 milionë euro);
- Ndërtimi i një hoteli në kompleksin “Rajska Banja”, në komunën e Zveçanit.
Lagjja “Lugina e Diellit”, e ndërtuar për të zhvendosurit serbë, konsiderohet e paligjshme nga autoritetet e Kosovës, pasi lejet janë dhënë vetëm nga strukturat paralele serbe. Një proces gjyqësor për ndërtimin e paligjshëm është ndërprerë në 2021 për shkak të parashkrimit.
Autoritetet në Kosovë kanë bllokuar gjithashtu punimet për rrugët e brendshme të lagjes, derisa Prokuroria të marrë një vendim të ri.
Arrestuar gjatë përplasjeve me KFOR-in
Petroviq nuk është emër i panjohur as në planin e sigurisë. Më 29 maj 2023, ai u arrestua në Zveçan gjatë përleshjeve ndërmjet serbëve lokalë dhe trupave të KFOR-it. Në shkurt 2024, ai arriti një marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale ose huliganizëm”. U dënua me gjashtë muaj burg, të cilat u shndërruan në gjobë monetare.
Gishtat drejtohen kundër njëri-tjetrit
Pas shembjes në Kragujevc, kompania ndërtimore “Inobaçka” – e cila ndërtoi Qendrën e Ekselencës – deklaroi se objekti i tyre ishte ndërtuar sipas rregullave, i kishte kaluar të gjitha kontrollet dhe kishte leje përdorimi që një vit e gjysmë më parë.
Sipas tyre, rruga ka qenë e sigurt “derisa punimet në objektin fqinj nuk e dëmtuan stabilitetin e saj”. Nga ana tjetër, administrata e qytetit të Kragujevcit pretendon se nuk ka marrë asnjë paralajmërim zyrtar për rrezikun, dhe shembjen e lidhi me reshjet e shumta.
Autoritetet lokale kanë urdhëruar investitorin të ndërmarrë menjëherë masa për shmangien e pasojave dhe parandalimin e rrëshqitjeve të tjera.
Radosh Petroviq thotë se po punon me një ekip ekspertësh:
“Brenda katër ditësh do të kryejmë pjesën më të madhe të punës dhe do të jemi 100% të sigurt se nuk do të ketë shembje të tjera.”
Skandali në Kragujevc tashmë nuk është vetëm çështje e një kantieri të vetëm, por shtron pyetje të mëdha mbi sistemimin urbanistik, kontrollin e ndërtimeve dhe lidhjet mes biznesit, politikës dhe strukturave shtetërore, si në Serbi, ashtu edhe në veriun e Kosovës.
