Kreu i Partisë Demokrati, Sali Berisha ka paralajmëruar dje paralizim total të kryeqytetit në protestën e thirrur prej tij më datë 23 dhjetor. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, ai deklaroi se më 23 dhjetor, ora 17:00, Tirana do të njohë mosbindjen civile më të fuqishme ka parë ndonjëherë. “Në 23 dhjetor ora 17:00 kemi mosbindjen civile më të fuqishmen që ka parë Tirana ndonjëherë. Mbarë Bota mezi e pret këtë mosbindje civile. E kanë mirëpritur kudo në Botë.
Ne i jemi mirënjohës mediave ndërkombëtare që kanë pasqyruar protestat tona. Ka gazetarë që kanë humbur vende pune ose janë kërcënuar me humbjen e vendeve të punës për shkrimet që kanë bërë. Mirënjohja jonë është e pakufishme ndaj tyre. Mediat e Botës i paraqesin me pasion protestat tona, sepse janë anti-diktaturë, janë për liri”, deklaroi Berisha. Më tej kreu i PD-së, zbuloi edhe një nga planet e protestës, duke theksuar se planifikon që të bllokojë qarkullimin jo më vetëm në qendër të qytetit, por edhe më gjerë. “Nga Qafë Priska deri në Vorë duhet ta bllokojmë Tiranën në të gjitha drejtimet.
Jam i bindur se ju do të mobilizoni të gjitha potencialet që keni në këtë mosbindje civile”, u shpreh ai. Ndërkohë kreu i PD, Sali Berisha tha se fushata elektorale e presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump është një leksion shumë i mirë për zgjedhjet e ardhshme. Ish-kryeministri kërkoi që të zhvillohen takime derë me derë me qytetarët, pasi vetëm kështu mund të fitohet. Ai thotë se Donald Trump, pavarësisht se ishte i censuruar, fitoi nga takimi me qytetarët. Berisha bëri thirrje për bashkim të shqiptarëve, duke kërkuar krijimin e një fronti të gjerë, jo vetëm me demokratët. “Të motivojmë çdo anëtar të PD, të bashkojmë çdo anëtar të PD, mbështetës të saj në betejën e fitores. Fitorja, të cilën e presin njësoj si ajrin zogjtë qytetarët shqiptarë kalon para së gjithash në bashkimin e shqiptarëve.
Në krijimi e një fronti sa më të gjerë, jo vetëm të demokratëve, por të mbarë qytetarëve shqiptarë, të të gjithë atyre që duan të ndahen nga kjo diktaturë. Kjo është një diktaturë më e keqe se e para. Kjo mbështetësit i ka shumë më të paktë. Kësaj diktature duhet ti përgjigjemi me frontin më të gjerë që duhet të krijojmë. Ti kundërvihemi me takimin e qytetarëve Trump është miliarder, por kishte 90% të mediave kundër. Në këtë fushatë nuk kishte as Facebook, as Instagram. Por një gjë nuk mund të censuronin, takimin me njerëzit. Donald Trump fitoi nga takimi me njerëzit”, nënvizoi Berisha.
