Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026 në Kuvend, kryeministri Edi Rama u rikthye te çështja e bllokimit të fondeve IPARD, duke e minimizuar vendimin e Brukselit dhe duke e quajtur “kënga e mjerueshme e fondeve të bujqësisë”. Rama deklaroi se hetimet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kanë zbuluar shkelje të ngjashme edhe në vende të Bashkimit Evropian, ku sipas tij, shumat e identifikuara arrijnë mbi 1 miliard euro.
Por Komisioni Evropian e përgënjeshtron hapur këtë krahasim.
KE: Rasti i Shqipërisë është i vetëm në llojin e tij
Në një reagim zyrtar për Faktoje.al, Komisioni Evropian sqaron se Shqipëria është një rast unik brenda Europës, pasi ndërprerja e fondeve IPARD II dhe pezullimi i programit IPARD III janë vendime të marra mbi bazën e një hetimi të OLAF-it – dhe jo thjesht mbi auditime teknike, siç ndodh në vendet anëtare të BE-së.
Komisioni nënvizon qartë se masa e marrë ndaj Shqipërisë nuk ka precedent:
“Siç është thënë më parë, nuk ka raste të ngjashme,” thekson KE.
Institucioni shpjegon se duhet bërë dallim mes korrigjimeve administrative të aplikuara ndaj vendeve të Bashkimit Europian dhe sanksioneve të bazuara mbi hetime të thelluara të OLAF-it.
Pezullimi i fondeve: vendim ekstrem pas hetimit të korrupsionit
Në verën e vitit 2023, mbi bazën e informacionit të OLAF, Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet e IPARD II dhe pezulloi të gjitha masat e IPARD III. Ky vendim ekstrem u mor për shkak të dyshimeve serioze për abuzime dhe korrupsion në administrimin e fondeve bujqësore.
KE përsërit se për t’u rikthyer normaliteti, Shqipëria duhet të përmirësojë sistemet e kontrollit, të rrisë transparencën dhe të zbatojë masa korrigjuese konkrete.
Deklaratat e qeverisë, të pavërteta edhe më herët
Nuk është hera e parë që qeveria shqiptare përpiqet të minimizojë situatën. Në korrik të vitit 2023, kur BE njoftoi pezullimin e fondeve, vendimi u paraqit si procedurë teknike. Asokohe, Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca deklaroi se shkelje të ngjashme janë gjetur edhe në vende si Gjermania apo Franca – deklaratë që u rrëzua publikisht nga Komisioni Evropian.
Edhe atëherë, KE konfirmoi se rasti shqiptar ishte i paprecedent.
Përfundimi: deklaratat e Ramës janë të pavërteta
Bazuar në informacionet zyrtare të Komisionit Evropian dhe OLAF-it, deklarata e kryeministrit se shkelje të ngjashme me ato të Shqipërisë janë konstatuar edhe në pesë vende të BE-së rezulton të jetë e pavërtetë.
Dosja e fondeve IPARD mbetet një provë serioze për besueshmërinë e institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit europian – jo “këngë e mjerueshme”, por një sinjal alarmi për standardet e qeverisjes dhe menaxhimin e fondeve publike.
