Partia Demokratike ka njoftuar sot se deputetët e opozitës kanë tërhequr zyrtarisht të gjitha nënshkrimet e dhëna më herët për kandidatët për postin e Avokatit të Popullit, duke sqaruar se këto nënshkrime janë dorëzuar para se Komisioni i Ligjeve të kryente procesin e kualifikimit.
Sipas PD-së, disa prej kandidatëve i kanë përdorur nënshkrimet e mbledhura paraprakisht sikur ato të ishin propozime zyrtare për votim, gjë që opozita e cilëson si “të pavërtetë” dhe në kundërshtim me nenin 9 të ligjit për Avokatin e Popullit.
PD: “Komisioni i Ligjeve vendosi që çdo deputet mbështet vetëm një kandidat”
Pas njoftimit zyrtar të Komisionit të Ligjeve se çdo deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat, deputetët e opozitës vendosën të tërheqin të gjitha nënshkrimet e dhëna pa ndonjë rregull të tillë të qartë më parë.
Opozita ka propozuar nisjen e një procesi të ri transparent, në bashkëpunim me mazhorancën, për përzgjedhjen e kandidatit të Avokatit të Popullit.
“Jemi në pritje të përgjigjes zyrtare të Kryetarit të Kuvendit për hapat e mëtejshëm. Tërheqja e nënshkrimeve është depozituar në Kuvend”, – thuhet në deklaratën e PD-së.
Deklarata e PD për mediat
Partia Demokratike thekson se:
- Nënshkrimet u dhanë para kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve;
- Disa kandidatë i përdorën ato në mënyrë të gabuar, duke i paraqitur si propozime për votim;
- Opozita i ka tërhequr të gjitha nënshkrimet pas vendimit zyrtar që “1 deputet – 1 kandidat”;
- Procesi duhet të rindërtohet në një format transparent mazhorancë–opozitë.
Sipas opozitës, ata tashmë presin përgjigjen e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për të nisur procedurat e mëtejshme parlamentare.
