Banorët e fshatit Boçovë në Levan kanë dalë sot në protestë, duke akuzuar kompaninë “Brevi Konstruksion” – me administratore Afërdita Salillarin – se u ka marrë padrejtësisht tokat bujqësore që ata i kanë punuar prej afro 30 vitesh. Sipas banorëve, sipërfaqet që i përfituan me ligjin 7501 janë regjistruar në Kadastrë në emër të kompanisë, ndërsa vetë ata nuk kanë marrë ende certifikatat e pronësisë pavarësisht kërkesave të vazhdueshme.
“Toka na u dha me ligjin 7501, kemi paguar taksat – tani del tjetër pronar”
Një prej banorëve, që punon tokën prej vitit 1994, rrëfen:
“Sipas ligjit 7501 na u nda toka. E kemi punuar çdo vit dhe kemi paguar taksat. Kemi tapitë e vjetra të ndarjes, por tani na del dikush tjetër pronar.”
Banorët thonë se burokracitë shumëvjeçare në agjencitë shtetërore i kanë lënë pa dokumentin final – certifikatën e pronësisë, ndërsa ndërkohë në regjistrat zyrtarë ka kaluar kompania.
Banorët: Na ndaluan të hyjmë në tokë, disa prej nesh u shoqëruan në polici
Situata në terren është përshkallëzuar ditët e fundit. Banorët deklarojnë se kompania nuk i lejon të futen në parcelat që kanë mbjellë dhe punuar për tre dekada. Disa prej tyre thonë se janë shoqëruar nga policia kur kanë tentuar të punojnë tokën.
“Shkova të punoja tokën time dhe më shoqëruan në polici. Më thanë se paskam hyrë në pronën e tjetrit,” – shprehet një tjetër banor.
Njësia Administrative Levan kërkon dokumentet nga kompania – por ende pa përgjigje
Banorët i janë drejtuar me kërkesë zyrtare Njësisë Administrative Levan, e cila, sipas tyre, ka kërkuar nga kompania “Brevi Konstruksion” dokumentacionin e plotë për përdorimin e rreth 10 hektarëve tokë. Deri më tani, asnjë përgjigje nuk u është dhënë.
Banorët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në zgjidhjen e çështjes dhe rikthimin e pronës në emër të tyre.
