Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural zhvilloi sot një dëgjesë publike për projektligjin e ri “Për gjuetinë”, në një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. Në këtë seancë u përfshinë organizata mjedisore dhe aktorë të interesit, të cilët analizuan ndikimin e ndryshimeve të propozuara për mbrojtjen e faunës së egër dhe zonave të mbrojtura.
Sipas projektligjit, pas përfundimit të moratoriumit të gjuetisë, kompetencat për monitorimin e zonave të mbrojtura pritet t’i kalojnë pushtetit vendor, një propozim që u mbështet gjerësisht nga përfaqësues të mazhorancës dhe nga drejtues bashkish.
Kryetarët e komisioneve, Anila Denaj dhe Blendi Klosi, u shprehën se transferimi i përgjegjësive te bashkitë është hap i natyrshëm në kuadër të decentralizimit dhe se pushteti lokal ka kapacitetet për të menaxhuar më mirë territorin dhe për të siguruar të ardhura shtesë nga menaxhimi i zonave të gjuetisë.
Megjithatë, brenda komisionit pati edhe zëra kritikë. Nënkryetari i komisionit, deputeti demokrat Blendi Himçi, shprehu dyshime nëse bashkitë kanë realisht kapacitetet për kontrollin e territorit, sidomos duke pasur parasysh sfidat e hasura deri më tani. Ai ngriti shqetësimin për gjuetinë e paligjshme dhe vështirësinë e bashkive për ta monitoruar në mënyrë efektive.
“Nuk shikojmë rritje të kontrollit të territorit. Pyetja është: a i kanë bashkitë mundësitë për të zbatuar moratoriumin e gjuetisë? Problematikat në territor i shohim çdo ditë,” u shpreh Himçi.
Në emër të pushtetit vendor foli kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, i cili mbështeti ndryshimet, duke theksuar se bashkitë kanë mjetet dhe kapacitetet për të marrë këtë funksion. Ai theksoi se inspektoratet e pyjeve dhe strukturat vendore tashmë menaxhojnë në mënyrë efikase fondin pyjor, dhe model të njëjtë mund të zbatojnë edhe për zonat e gjuetisë.
“Bashkitë i kanë kapacitetet dhe mundësitë për ta menaxhuar këtë proces. Deri tani kemi treguar se menaxhimi i pyjeve ka qenë i mirë dhe synimi është edhe shtimi i të ardhurave,” deklaroi Llatja. Ai shtoi se një plan menaxhimi 10-vjeçar do të përgatisë inventarizimin e faunës dhe përcaktimin e kuotave të gjuetisë.
Kryetarja e komisionit, Anila Denaj, nënvizoi se projektligji synon rritjen e autonomisë vendore, por kërkoi të ruhet balanca e kompetencave mes nivelit qendror dhe atij lokal. “Ligji i shërben decentralizimit dhe menaxhimit më efikas të zonave, por duhet pasur kujdes edhe me ndarjen e pushteteve,” tha ajo.
Në diskutim u përfshi edhe deputeti demokrat Xhelal Mziu, i cili ngriti shqetësime lidhur me dhënien e licencave të gjuetisë dhe vendosjen e gjobave nga bashkitë, duke paralajmëruar mundësi selektive të përdorimit të këtyre kompetencave. Ai kërkoi që zbatimi i ligjit të monitorohet edhe nga institucione të Bashkimit Evropian.
Komisioni gjithashtu miratoi kalendarin e punimeve për periudhën 1–19 nëntor 2025 dhe la të hapur procesin e mbledhjes së rekomandimeve nga aktorët e interesit për projektligjin.
