Braçe ngre alarmin në Komision: “Përpunuesit po marrin karota nga Turqia, dalin më lirë se në Divjakë!”

Data

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësimin për mënyrën e zbatimit të skemës së TVSH-së në sektorin bujqësor, duke theksuar se kjo po çon drejt favorizimit të importeve në kurriz të prodhimit vendas. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Braçe paralajmëroi se situata ka marrë përmasa shqetësuese, pasi shumë përpunues po zgjedhin të blejnë produkte bujqësore jashtë vendit për shkak të leverdisë më të madhe financiare.

Sipas tij, shembulli më flagrant është ai i karotave, ku disa kompani përpunuese kanë nisur të importojnë prodhimin nga Turqia, pasi kostoja totale — duke përfshirë transportin, doganën dhe TVSH-në — rezulton më e ulët sesa blerja në Divjakë.

“E kuptoni që ka përpunues që po marrin karotën në Turqi se është më e lirë se në Divjakë? Të gjitha bashkë janë më lirë se sa ta blesh në Divjakë,” deklaroi Braçe, duke ngritur zërin për pasojat e drejtpërdrejta që kjo situatë ka mbi fermerët vendas.

Deputeti kërkoi rishikimin urgjent të skemës së TVSH-së për grumbulluesit dhe përpunuesit, duke theksuar se aktualisht nuk ka asnjë stimul real për të blerë prodhimin shqiptar. Ai theksoi se ngatërrimi mes kompensimit dhe normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në transaksionet brenda vendit ka prodhuar një pabarazi të theksuar gjatë pesë viteve të fundit.

“Më rregulloni TVSH-në mua si grumbullues. Nuk kam asnjë interes të blej brenda vendit. Ju lutem, mos i ngatërroni më këto dy mekanizma. Kjo ngatërresë ka sjellë situatën që kemi sot,” tha Braçe, duke iu kërkuar institucioneve dhe administratës që këtë problem t’ua shpjegojnë “qartas edhe udhëheqësve”.

Sipas deputetit socialist, korrigjimi i kësaj skeme është thelbësor për mbrojtjen e prodhimit vendas dhe për të shmangur goditjen që po pëson bujqësia shqiptare nga importet e favorizuara fiskalisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related