Debate të forta në Komisionin e Ekonomisë: Shehaj akuzon për vjedhje fondesh në bujqësi; Braçe reagim të ashpër: “S’mund të na fyesh, qepe!”

Data

Mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave u shoqërua sot me tensione, tone të larta dhe përplasje mes deputetëve. Shkak u bë fjala e deputetit dhe kryetarit të partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili akuzoi mazhorancën se po “vjedh fondet e dedikuara për fermerët” dhe se situata në bujqësi ka degraduar në pikën më të ulët.

Shehaj: Paratë e fermerëve vidhen — 50 milionë eurot e Llogarasë mund të shkonin për bujqësinë

Gjatë diskutimeve mbi TVSH-në në dogana dhe projektligjet e paketës fiskale, Shehaj u ndal te keqmenaxhimi i fondeve në sektorin bujqësor:

“Nëse nuk do ishin harxhuar 190 milionë euro te tuneli i Llogarasë, janë 50 mln euro që mund të përdoreshin për fermerët. Paratë që u takojnë atyre vidhen. Këto janë gjëra të rëndësishme, mos humbim kohë kot tre orë me debat politik.”

Ai shtoi se fermerët shqiptarë nuk mund të konkurrojnë me produktet e importit, sepse shtetet e tjera subvencionojnë prodhimin, ndërsa “këtu fondet zhduken dhe nuk shkojnë te ata që kanë nevojë”.

Ndërprerje e fjalës dhe akuza për mungesë respekti ndaj procedurës

Deklaratat e Shehajt sollën reagimin e kryetares së Komisionit, Milva Ikonomi, e cila i kujtoi deputetit se ai ishte vetëm zëvendësues në Komision dhe kishte munguar në diskutimet e mëparshme për paketën fiskale.

“Ju nuk keni qenë këtu në diskutimet për paketën fiskale. Duhet të prisni radhën dhe të respektoni procedurën. Jeni zëvendësues, jo anëtar i rregullt.”

Shehaj iu kundërpërgjigj duke thënë se i ishte ndërprerë fjala dhe se “Komisioni nuk është shkollë ku mbahen mungesat”.

Braçe shpërthen: “Qepe!” – Ndërpritet mbledhja

Në këtë moment reagoi ashpër deputeti socialist Erion Braçe, duke goditur tavolinën dhe ngritur zërin:

“Nuk mund të vish këtu e të na fyesh! Qepe të them!”

Shehaj iu përgjigj shkurt:

“Qetësohu!”

Polemika solli ndërprerjen e mbledhjes për pesë minuta, pasi tensionet në sallë e bënë të pamundur vijimin e diskutimeve.

Projektligjet që po shqyrtoheshin

Komisioni kishte në rend dite disa projektligje të rëndësishme fiskale, përfshirë:

  1. Ndryshimet në ligjin për TVSH-në
  2. Fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore
  3. Rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme
  4. Marrëveshjen e paqes fiskale
  5. Ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat

Megjithatë, debate të forta politike dominuan mbledhjen, duke lënë në plan të dytë diskutimin teknik të projektligjeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related