Kongresmeni amerikan Keith Self, gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ngriti shqetësime të forta për funksionimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke thënë se pas dhjetë vitesh zbatim “ka ardhur koha të vlerësohet nëse reforma po funksionon siç është menduar”.
“200 mijë çështje të pazgjidhura – qytetarët presin deri në 15 vjet për drejtësi”
Self theksoi se përmasat e çështjeve të mbetura pezull janë tejet problematike:
“Numri i rasteve të prapambetura është rritur nga 16 mijë në fillim të reformës, në rreth 200 mijë sot. Qytetarët presin 8 deri në 15 vjet për një vendim përfundimtar.”
Ai paralajmëroi se këto vonesa dëmtojnë rëndë:
- sundimin e ligjit
- besimin publik
- procesin e rregullt ligjor
Kongresmeni vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh ndërtimin e një gjyqësori të pavarur dhe efikas në Shqipëri, por fakti që backlog-u i çështjeve po rritet ndjeshëm kërkon një rishikim serioz të situatës.
“Duhet rishikuar funksionimi i Reformës në Drejtësi”
Sipas Self:
“Pas dhjetë vitesh, është e përshtatshme të rishqyrtohet nëse Reforma në Drejtësi po ofron drejtësi të paanshme për popullin shqiptar.”
Ai u shpreh se reforma duhet analizuar objektivisht, duke parë rezultatet reale në prodhimin e drejtësisë dhe zgjidhjen e çështjeve.
Self: Ballkani Perëndimor mbetet rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë
Në fjalën e tij të gjerë, kongresmeni Self foli edhe për sfidat më të mëdha të Ballkanit, duke përmendur:
- mosmarrëveshjen Serbi–Kosovë
- situatën e tensionuar në Bosnjë
- ndikimin rus, kinez dhe iranian në destabilitetin rajonal
- sfidat ekonomike dhe demografike të vendeve të rajonit
Ai theksoi se Shqipëria është aleate e fortë e SHBA-së dhe anëtare e përkushtuar e NATO-s, por paralajmëroi se çështja e sundimit të ligjit dhe funksionimi i drejtësisë mbeten thelbësore për stabilitetin e brendshëm.
Mesazhi përfundimtar: roli i SHBA-së mbetet vendimtar
Self përgëzoi partneritetin e fortë SHBA–Shqipëri dhe theksoi se Uashingtoni duhet të vazhdojë të luajë një rol aktiv në ruajtjen e ekuilibrit në Ballkan dhe në mbështetjen e reformave të vërteta demokratike.
