“Shqipëria e zhytur në drogë dhe në krizë demografike” – Berisha: Jetojmë nën një diktaturë moderne, jemi përballë pyetjes ‘të jesh apo të mos jesh’

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar takimet e tij me bazën demokrate, këtë herë në njësinë nr. 9 në Tiranë, ku lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë dhe gjendjes së vendit. Kreu i opozitës u shpreh se Shqipëria po kalon periudhën më të errët të historisë së saj moderne, një regjim që sipas tij po çon vendin drejt shpopullimit dhe degradimit institucional.

Berisha deklaroi se vendi është i tëri i zhytur në drogë, ndërsa policia dhe ligji janë kthyer – siç tha ai – në instrumente që ushqejnë këtë sistem të korruptuar.

“Jetojmë në një sistem diktatorial. Pranon pluralizmin vetëm në letër, por e shtyp çdo ditë. Ky regjim mbështetet mbi drogën. Policia është zhytur në drogë, ligji është zhytur në drogë. Shqipëria ka humbur ligjin.”

Sipas Berishës, droga është faktori më i rrezikshëm shfarosës për kombin shqiptar, më shkatërrues sesa çdo pushtim i së kaluarës.

Kriza demografike: “Kombi shqiptar para pyetjes: të jesh apo të mos jesh”

Berisha ngriti shqetësimin e madh demografik, duke thënë se Shqipëria nga një vend me popullsi të re është kthyer në kombin me lindshmërinë më të ulët në Evropë.

“Nga një komb ndër më të rinjtë në Europë, sot jemi vendi me lindshmërinë më të ulët. Vdekjet që nga 2018 dominojnë mbi lindjet. Brenda pak dekadash kemi humbur gjysmë milioni njerëz.”

Ai fajësoi qeverinë për largimin masiv të të rinjve dhe shpopullimin dramatik që po përjeton vendi.

Kriza ekonomike dhe rënia e euros: “Qindra mijëra humbën punën”

Në vijim të fjalimit, Berisha theksoi se ekonomia është rrënuar nga politikat e gabuar dhe nga rënia e euros, që ka prekur direkt pensionistët dhe familjet që mbështeten te remitancat.

“Euro është shtrirë përdhé. Mijëra punëtorë humbën vendet e punës. Prodhimi industrial ra. Pensionistët marrin 30% më pak.”

Sipas tij, kombin e ka kapluar një rrokullisje e pandalshme që kërkon angazhim të plotë për ta ndalur.

Berisha: “Jemi në gjendje emergjence kombëtare”

Duke përfunduar fjalimin, Berisha falënderoi demokratët për qëndresën e tyre dhe u bëri thirrje që të vazhdojnë betejën kundër regjimit aktual.

“Ky regjim ka shkretuar vendin si askush tjetër në histori. Na ka sjellë përballë pyetjes: të jesh apo të mos jesh. Kjo është beteja jonë.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related