Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hapur sot ciklin e ri të foltoreve me bazën, duke zhvilluar një takim me demokratët e Njësisë nr. 9 në Tiranë. Në këtë takim, Berisha deklaroi se PD nis zyrtarisht procesin e analizës paszgjedhore, por paralajmëroi se ai nuk duhet të shndërrohet në gjueti shtrigash.
Berisha u ndal te nevoja për reflektim të brendshëm, për të identifikuar dobësitë dhe për të përgatitur partinë për atë që ai e quajti “beteja vendimtare” kundër qeverisë së Edi Ramës.
“Fillojmë sot një analizë që do ta nxjerrë PD-në më të fortë dhe më të fuqishme,” tha ai, duke i ftuar të gjithë anëtarët të japin mendime, kritika dhe propozime të hapura.
Sipas tij, procesi i analizës duhet të synojë rritjen e hapësirës së mendimit, angazhimin e të rinjve dhe krijimin e një debati të gjallë brenda strukturave të partisë.
Berisha theksoi se Shqipëria ndodhet nën atë që ai e cilësoi “regjim autoritar”, i cili synon të godasë opozitën, por PD – sipas tij – duhet të përgjigjet me energji dhe organizim të ri.
Ai përsëriti akuzat për vjedhje të zgjedhjeve, duke thënë se Rama “nuk do ta gëzojë mandatin e katërt”, dhe se opozita është e vendosur ta largojë qeverinë para përfundimit të mandatit.
“Me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. Diktaturat nuk ikin me votë. E faktuam. Ne jemi në fazën e betejës vendimtare,” deklaroi ai, duke shtuar se PD duhet të përgatitet për një përballje të fortë politike.
Në fund të fjalës së tij, Berisha tha se një nga shenjat e delegjitimimit ndërkombëtar të Ramës ishte fakti që, sipas tij, nuk mori urim nga qeveria amerikane pas zgjedhjeve.
Takimet e foltoreve pritet të vijojnë ditët në vijim në disa qytete të vendit, me synimin për të rritur mobilizimin brenda PD-së dhe për të forcuar komunikimin me bazën.
