Deputeti demokrat Belind Këlliçi ka reaguar me tone të forta ndaj ndalimit të ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, duke e cilësuar arrestimin e saj si konfirmim të akuzave që ai thotë se i ka ngritur prej kohësh.
Në një postim publik, Këlliçi u shpreh se “koha është ilaçi më i mirë”, duke lidhur hetimin e Prokurorisë Evropiane (EPPO) dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) me akuzat që opozita ka artikuluar ndaj Mogherinit për lidhjet e saj politike me drejtues vendorë në Shqipëri.
Deputeti kujtoi se sipas institucioneve evropiane, Mogherini është ndaluar në kuadër të një hetimi për një tender të dyshuar korruptiv në Kolegjin Evropian, ku ajo mbante postin e rektores. Tenderi në fjalë, me vlerë 3.2 milionë euro, lidhej me blerjen e një godine për akomodimin e diplomatëve të rinj.
Këlliçi rikujtoi gjithashtu se Mogherini, gjatë vizitave në Tiranë, shfaqej shpesh në krah të kryebashkiakut të atëhershëm Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama, duke e përkrahur hapur si “model suksesi”. Sipas tij, kjo ishte “tallje ndaj shqiptarëve”, në një kohë kur opozita denonconte publikisht afera si 5D dhe shpenzimet e Bashkisë së Tiranës.
Deputeti demokrat tha se hetimet e sotme ndaj Mogherinit tregojnë se ajo “nuk përfaqëson as standardet europiane dhe as integritetin që predikonte në Shqipëri”. Ai shtoi se vendit nuk i duhen figura të tilla në procesin e integrimit në BE.
Në fund të reagimit të tij, Këlliçi u shpreh:
“Shqipërisë nuk i duhen njerëz si Federica Mogherini. Urimi i vetëm: Tërheqtë këmbën për Kosovën!”
Reagimi i deputetit vjen në një klimë tensioni të shtuar politike, ku ndalimi i figurës së lartë europiane ka nxitur debat të gjerë në vend dhe në rajon.
