Ervin Salianji kërkon dorëheqjen e Belinda Ballukut: “Rama ka marrë peng politikën, bashkohuni me PD dhe protestat”

Data

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në lidhje me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke kërkuar dorëheqjen e saj dhe të kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë të fortë të publikuar në Facebook, Salianji akuzon Ramën se ka shkatërruar standardet e politikës dhe ka kthyer qeverisjen në një mjet presioni, frike dhe mbytjeje të lirive të qytetarëve.

“Belinda Balluku duhet të dorëhiqet, ky është standardi perëndimor”

Salianji shprehet se ministrat dhe zyrtarët e përfshirë në procese hetimore nuk mund të qëndrojnë në detyrë duke u fshehur pas prezumimit të pafajësisë, pasi sipas tij, “ligji gjykon faktin, ndërsa politika gjykon përgjegjësinë”.

Ai thekson se dorëheqja është e domosdoshme për të rikthyer integritetin e institucioneve:

“Belinda Balluku duhet të dorëhiqet, Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Ky është standardi i demokracisë perëndimore.”

Akuza ndaj Ramës: “Ka marrë peng politikën dhe Shqipërinë”

Salianji e akuzon kryeministrin se ka personalizuar dhe uzurpuar politikën:

“Edi Rama dhe qeveria e tij e kanë marrë peng politikën dhe Shqipërinë me hallet e veta. Kjo është papërgjegjshmëri historike.”

Ai shton se institucionet e sigurisë dhe administrata janë mbushur me njerëz pa meritë e pa integritet, të vendosur vetëm për interesa politike.

Thirrja për mobilizim: “Bashkohuni me PD dhe në protestë”

Në fund, Salianji u bën thirrje qytetarëve të bashkohen me Partinë Demokratike dhe të marrin pjesë në protestat kundër qeverisë:

“Do ta mundim Edi Ramën sepse kemi moralin dhe të vërtetën – forcat e vetme që ai nuk kontrollon. Bashkohuni me PD-në! Bashkohuni në protestë dhe reagim!”

Reagimi i tij vjen në një moment kur qeveria dhe mazhoranca përballen me presion të shtuar publik dhe politik pas hetimeve ndaj disa zyrtarëve të lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related