Reagime të forta politike kanë shoqëruar lajmin për ndalimin në Bruksel të ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik Europian (EPPO). Deputetët e opozitës në Shqipëri kërkuan sqarime të menjëhershme, duke ngritur dyshime se hetimi në Belgjikë mund të ketë lidhje edhe me procedurat e diskutueshme për ngritjen e Kolegjit të Europës në Tiranë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, tha se ndalimi i Mogherinit hap një çështje të re që lidhet drejtpërdrejt edhe me Shqipërinë.
“Rektore aktualisht është arrestuar për shkak të korrupsionit dhe shpresoj të mos jetë e lidhur me korrupsionin për zgjedhjen e Kolegjit të Europës në Shqipëri. Të shpresojmë që kjo nuk ka lidhje me vendin tonë,” u shpreh Gjoni.
Edhe Partia e Lirisë reagoi ashpër. Deputeti Tedi Blushi tha se arrestimi i Mogherinit është “goditje e rëndë për propagandën e qeverisë”, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e diplomatëve të huaj për mbështetje politike.
“Ndaloni përdorimin e diplomatëve të korruptuar në Tiranë. Ja ku e keni Federica Mogherinin, e arrestuar. Ju i dhatë tokë publike në zemër të Tiranës për Kolegjin e Europës. Pse? Shqiptarët duhet të dëgjohet, jo të mashtrohen,” u shpreh Blushi.
Çfarë ndodhi në Bruksel?
Sipas mediave belge, mes tyre Le Soir, Prokuroria Evropiane ka kryer kontrolle në:
- Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel
- Disa godina të Kolegjit të Europës në Bruges
Në pranga kanë përfunduar tre persona, përfshirë vetë Mogherinin.
Hetimi lidhet me:
- Mashtrim në tendera publikë
- Korrupsion dhe konflikt interesi
- Shkelje të sekretit profesional
- Favorizim në dhënien e kontratave të BE-së
Hetuesit po verifikojnë nëse përfaqësues të Kolegjit të Europës kanë qenë të informuar paraprakisht mbi kriteret e tenderit për programin 9-mujor të trajnimit të diplomatëve të rinj të BE-së, një kontratë e vlefshme dhe shumë e kontestuar brenda institucionit.
Implikimet për Shqipërinë
Projekti i Kolegjit të Europës në Tiranë, i mbështetur personalisht nga Mogherini dhe qeveria shqiptare, është shoqëruar prej fillimit me akuza të opozitës për:
- mungesë transparence,
- procedura të dyshimta,
- favorizime politike,
- përdorim të tokës publike pa debat.
Arrestimi i Mogherinit shton presionin mbi qeverinë Rama, ndërsa opozita kërkon që organet hetimore shqiptare dhe institucionet vendase të verifikojnë çdo procedurë të lidhur me këtë projekt.
