Gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit të plagosur rëndë me thikë gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës mbetet kritike. I riu po mbahet në intubim, ndërsa mjekët presin reagimin e trurit për të vlerësuar më tej pasojat e sulmit të rëndë që mori disa ditë më parë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 nëntor, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, pas një sherri që kishte nisur në rrjetet sociale, konkretisht në TikTok, ku dy adoleshentët ishin sharë dhe përplasur virtualisht para se të takoheshin fizikisht.
Babai: “Presim reagimin e trurit, parametrat janë optimale”
I ati i 15-vjeçarit, i ftuar në emisionin “Me Zemër të Hapur”, tregoi gjendjen e rrezikshme të të birit, i cili është plagosur katër herë me thikë, me një nga goditjet që ka prekur edhe zemrën.
“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Parametrat janë optimale, kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë.”
Ai shtoi se brenda dy ditëve të ardhshme mjekët pritet të vlerësojnë nëse ka dëmtime të mëtejshme në zemër apo tru.
Sherri nisi në TikTok: “Janë sharë për protagonizëm”
Babai i adoleshentit tregoi se konflikti ishte krejtësisht i motivuar nga debatet në rrjetet sociale:
“Janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok, për protagonizëm. E gjithë situata ka nisur nga aty.”
Ai shtoi se familja po përjeton një dramë të madhe, ndërsa nëna e djalit është në gjendje të rënduar psikologjike.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas Policisë së Durrësit:
- Dy adoleshentët, së bashku me miqtë e tyre, kishin lënë takim për t’iu “sqaruar” debateve online.
- Takimi degjeneroi menjëherë në një sherr masiv.
- Gjatë konfliktit, 14-vjeçari M.K. goditi katër herë me thikë 15-vjeçarin E.B., duke i shkaktuar plagë të rënda.
Autori i dyshuar u arrestua disa orë pas ngjarjes, ndërsa viktima ndodhet ende në gjendje kritike për jetën.
Njoftimi i Policisë
Policia konfirmoi arrestimin e 14-vjeçarit për veprat:
- “Plagosja e rëndë me dashje”
- “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.
