500 kg kokainë nga Ekuadori: Zbulohet roli i mikut të Pojës dhe i policit të Prodës

Data

Një nga episodet më të rëndësishme të dosjes së organizatës kriminale shqiptare që merrej me trafikun e drogës nga Amerika e Jugut lidhet me tentativën për të futur 500 kilogramë kokainë nga Ekuadori drejt Italisë në prill të vitit 2022. Ngarkesa ishte fshehur në kontenierë që udhëtonin nga Amerika e Jugut, me nisje nga portet ekuadoriane dhe me mbërritje të parashikuar në fund të muajit në territorin italian.

Sipas dosjes, rrjeti kriminal kishte bazën në Durrës, ndërsa personat kyç në koordinimin e operacionit ishin Denis (Dario) Myftiu, Erion Kapidani dhe Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, një figurë e afërt me grupet kriminale që operonin mes Shqipërisë dhe Italisë. Të tre përdornin platformën e enkriptuar SKY ECC për të komunikuar dhe për të dhënë udhëzime të koduara mbi lëvizjen e drogës.

Si u vunë në dijeni italianët për ngarkesën

Hetuesit italianë kishin instaluar një pajisje përgjimi ambiental në automjetin Mercedes Benz të Denis Myftiut. Përmes këtij mikropërgjuesi, ata arritën të regjistronin bisedat mes Myftiut dhe Erion Kapidanit, të cilët flisnin hapur për fazat e fundit të operacionit të importit të drogës.

Nga përgjimet u zbulua:

  • se ngarkesa përmbante 500 kg kokainë,
  • se 13% e saj ishte kompensim për një grup kalabrez që do siguronte logjistikën e shpërndarjes në det,
  • dhe se Myftiu kishte dhënë koordinatat detare ku do kryhej “kapja” e drogës nga anijet peshkarexhe të partnerëve italianë.

Çipi që zbuloi gjithçka

Më 29 prill 2022, gjatë një udhëtimi me makinë, Myftiu, Kapidani dhe Erion Llupi vënë re papërsosmëri në plafonierën e automjetit, duke dyshuar se aty mund të ishte vendosur një pajisje përgjuese.

Një ditë më pas, Myftiu çon makinën te një mekanik i besuar. Eksperti i konfirmon se objekti i gjetur ishte mikropërgjues aktiv.

Ky moment i vetëm mjaftoi për të ndërprerë përgjimet dhe për t’i bërë hetuesit italianë të humbnin gjurmët e ngarkesës 500 kg kokainë.

Dekonspirimi i operacionit – kush e dha informacionin?

Autoritetet italiane u bindën se Myftiu nuk e kishte zbuluar rastësisht pajisjen, por ishte paralajmëruar nga brenda Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Hetimi më pas ekspozoi një lidhje të drejtpërdrejtë:

Igli Hoxhaj, oficer i policisë gjyqësore dhe pjesë e strukturave të drejtuara nga Ilir Proda, kishte spinuar informacione sekrete te grupi i Elvis Pojës në këmbim të parave.

Sipas dosjes së GJKKO:

  • Hoxhaj ishte personi që më 12 mars 2022 kishte instaluar pajisjen e përgjimit në Mercedes GLE të Myftiut,
  • dhe, paradoksalisht, ishte i njëjti që i kishte dekonspiruar vendosjen e pajisjes grupit kriminal.

Pra, vetëm një muaj para përgjimeve që zbuluan planin për transportimin e 500 kg kokainë drejt Italisë, informacioni mbi operacionin ishte tashmë i rrjedhur te grupi kriminal, duke e vënë në rrezik gjithë aksionin.

Arrestimi i policit

Igli Hoxhaj u arrestua më 27 nëntor 2025, në ambientet e Akademisë së Policisë, ku kishte shkuar për të ndjekur studimet për avancim në gradë. Arrestimi u krye gjatë operacionit “Golden River”, ku u ekzekutuan 24 urdhër-arreste.

Hetuesit e konsiderojnë këtë rast si një nga shembujt më flagrant të komprometimit të operacioneve ndërkombëtare nga zyrtarë të korruptuar brenda institucioneve shqiptare të sigurisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related