Rreth 3.5 hektarë tokë kullotë në fshatin Qinam pritet t’i kalojnë një investitori privat për ndërtimin e një parku fotovoltaik, një vendim i marrë nga Këshilli Bashkiak i Kolonjës. Por për banorët e zonës, vendimi është i padrejtë dhe i marrë pa asnjë konsultim me komunitetin, i cili prej dekadash e përdor këtë sipërfaqe si kullotën e vetme për qindra krerë bagëti.
Sipas tyre, zona e dedikuar për projektin energjetik është jetike për aktivitetin blegtoral, që përbën bazën ekonomike të fshatit. Çdo vit, mijëra krerë bagëti — përfshirë edhe lopët e qumështit — kullosin në këtë territor. Humbja e kësaj hapësire do të thotë, sipas fermerëve, fund i blegtorisë në Qinam dhe pasojë e drejtpërdrejtë e braktisjes së fshatit.
Një nga fermerët shprehu indinjatën e tij për situatën:
“Jam fermer, kam 20 krerë lopë. Tani, me këto panele që duan të vendosin, ne humbasim kullotën e vetme. Ne pastaj do detyrohemi të ikim, se nuk ka më vend për bagëtinë. Me këtë kryebashkiak që kemi, unë po dënohem se jam demokrat. Nuk më kanë nxjerrë as për subvencione. Ky është shteti që kemi…”
Fermerët tregojnë se problemi rëndohet sidomos gjatë dimrit, kur bagëtia nuk mund të largohet në zona të thella malore dhe u duhet një hapësirë e afërt. Në mungesë të saj, shumë familje do të detyrohen të shesin bagëtinë dhe të braktisin aktivitetin blegtoral.
Një banor tjetër i fshatit ngriti shqetësimin se rreth 500–600 krerë lopë kullosin çdo vit në këtë zonë:
“Po u vendosën panelet, ku do të shkojë kjo kullotë? Ne i kemi të ndara kullotat, janë burimi ynë i vetëm. Këto na bën ky shtet. Ju lutemi të mos na i marrin.”
Në protestë ishin të pranishëm edhe deputetët e Partisë Demokratike, Ledina Alolli dhe Fidel Kreka, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për banorët. Deputetja Alolli deklaroi:
“Banorët sot ngrejnë një shqetësim të madh. Ata jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria. Bashkia e Kolonjës ka vendosur t’u marrë 3.5 hektarë kullotë për t’ia dhënë privatit për panele fotovoltaike. U bëj thirrje institucioneve të tërhiqen nga ky vendim dhe të dëgjojnë banorët, sepse pa këto toka ata mbeten pa punë, pa të ardhura dhe detyrohen të largohen nga fshati.”
Komuniteti i Qinam e cilëson vendimin si të padrejtë, të papritur dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e fshatit. Banorët kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të projektit dhe nisjen e një procesi transparent, ku fjalën e parë ta ketë vetë komuniteti që prej vitesh mban gjallë zonën përmes blegtorisë dhe punës së ndershme.
