Rihapja e tenderit të Tunelit të Llogarasë dhe caktimi i datës 30 gusht 2021 del se ishte vetëm fasada e një procesi të mbyllur me kohë. Prokuroria e Posaçme (SPAK) zbulon se 11 ditë para se të hapej gara, që sipas provave ishte e paracaktuar të shkonte te kompanitë turke, Belinda Balluku komunikonte intensivisht me përfaqësuesit e tyre, duke i udhëzuar njerëzit e saj si t’i prisnin, t’i orientonin dhe t’u hapnin rrugën.Më 19 gusht, turqit i dërgojnë Ballukut një mesazh ku deklarojnë se dokumentacioni i tyre për tenderin ishte gati në nivelin 95%, se inxhinierët e tyre kishin nisur studimet e kostove dhe se më 18 gusht kishin mbërritur në Shqipëri për të parë nga afër trasenë e tunelit.
TIMS e konfirmon lëvizjen e inxhinierit AyhanAltun, duke provuar se vizita ishte realisht e organizuar përpara garës. Mesazhet e datës 24 gusht tregojnë qartë se ministrja interesohej personalisht të siguronte kontaktet e tyre, të shtynte takimet dhe të garantonte që ekipi turk të merrte trajtimin e nevojshëm për të hyrë në tenderin që po përgatitej për ta. Kjo është skema që SPAK e sheh si zemrën e planit për të grabitur mbi 50 milionë euro: komunikim paralel, favorizim i hapur dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë e zëvendëses së Ramës në çdo hap që u çonte turqve fitoren në xhep, shumë përpara se tenderi të hapej zyrtarisht.
Pjesë nga dosja
Pasi rihapet tenderi i Tunelit të Llogarasë, data përcaktohet 30 gushti 2021. 11 ditë më herët, më 19 gusht ministrja Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit dhe I dërgon një mesazh në anglisht që e kishte marrë nga turqit. “I përkthyer në shqip, mesazhi thoshte: INTEKAR YAPI TUR. ELEKTINSAN. dhe TİC. LLC., si shoqëri, punimet dhe dokumentacioni ynë për tenderin e tunelit të Llogarasë janë përfunduar në nivelin 95%, dhe studimet tona të kostove vazhdojnë. Ne kemi krijuar një bashkim shoqërish (jointventure) duke përfshirë shoqërinë ASL INS TAAH. VE SAN. TİC. LTD. ŞTİ me ne. Kjo është një shoqëri që ka ndërtuar një tunel autostradal 2×1, 4 km në Turqi, dhe është gjithashtu një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë.
Si përfaqësuesit tanë në Shqipëri, ashtu edhe avokatët tanë në Shqipëri, po vazhdojnë punën dhe negociatat me znj. Arta në lidhje me tenderin. Në selinë tonë në Ankara, inxhinierët tanë po përfundojnë dokumentacionin për tenderin dhe po vazhdojnë studimet e kostove. Përveç kësaj, më 18.08.2021, menaxherët e shoqërisë dhe inxhinierët tanë nga Turqia do të vijnë në Shqipëri për të parë trasenë dhe vendin ku do të ndërtohet tuneli, si dhe për të finalizuar detajet. Si shoqëri, ne do të jemi plotësisht gati për tenderin e tunelit të Llogarasë përpara datës së tenderit. Me respekt”.
Çfarë thotë SPAK?
“SPAK thotë se nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se shtetasi turk Ayhan Altun, inxhinier i shoqërisë “Intekar Yapi TurizmElektrik Insaat Sanayi ve Ticaret LimitedSirketi”, ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 18.08.2021 dhe ka dalë më datë 21.08.2021.Balluku interesohet dhe e shtyn Evis Berberin që të takojë turqit, të cilët i dinte në Tiranë. “Më datë 24.08.2021, në orën 14:12–14:13, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhet: ‘Fole me Artën. Turqit gjëkundi?
Nesër në 11 takim dhe aktivizojmë atë që takuam të premten’. Në orën 14:13–14:14, Evis Berberi: ‘Ok. Po fola unë, të shkruaj’.Në orën 14:14, Belinda Balluku: ‘Ore, këta nuk qenkan në Tiranë’. Në orën 14:14, Evis Berberi: ‘Turqit?’ Në orën 14:17, Belinda Balluku: ‘Po ata, se për kë po flasim’. Në orën 14:18, Evis Berberi: ‘Vazhdojmë me të premten’. Në orën 14:19, Belinda Balluku: ‘Do presim deri nesër’. Në orën 14:19, Evis Berberi: ‘Ok, tak nesër’”, thuhet në dosje.
