Gërdeci – GJKKO i hap rrugën procesit: rrëzohet kërkesa për largimin e gjyqtares Irena Gjoka, gjyqi ndaj Mediut vazhdon

Data

Gjyqi i masakrës së Gërdecit nuk do të nisë nga fillimi. Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka rrëzuar ditën e djeshme kërkesën e gjyqtares Irena Gjoka për tu larguar nga gjykimi i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Seancën e kaluar, 11 nëntor, ishte vetë Gjoka që kërkoi largimin nga gjykimi me argumentin se ka qenë gjyqtare e seancës paraprake dhe se çështjen e mori pasi i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar.  Por, zëvendëskryetari i GJKKO Erion Bani pasi shqyrtoi kërkesën e gjyqtares Gjoka, e rrëzoi me argumentin se nuk ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë. Vendimin e relatoi vetë gjyqtarja Irena Gjoka në seancën e djeshme. Ndërkohë, prokurori Klodian Braho relatoi një pjesë të provave shkresore që kërkoi të bëhen pjesë e shqyrtimit gjyqësor dhe seanca u shty në datë 9 dhjetor për të vijuar me këtë moment procedural. Më herët, GJKKO ka rrëzuar edhe kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut për përjashtimin e Irena Gjokës. Më pas ishte vetë gjyqtarja që kërkoi të largohej nga çështja me argumentin se ka shqyrtuar në fazë paraprake të njëjtën dosje.

Çfarë ka ndodhur?

Kujtojmë gjithashtu se në seancën e 30 tetorit të procesit gjyqësor për çështjen “Gërdeci”, u shënua një përplasje e fortë mes avokatit Ardian Visha dhe familjarëve të Erison Durdës, 7-vjeçarit që humbi jetën në shpërthimin tragjik të vitit 2008. Gjatë fjalës së tij, avokati Visha u shpreh se legjitimimi i palëve të viktimave në proces është bërë në shkelje të ligjit, duke vënë në dyshim rolin e përfaqësuesit ligjor të tyre. “Përfaqësuesi i viktimave është drejtues i një shoqate të financuar nga Soros, konkretisht ‘ResPublica’, ndërkohë që klienti im përfaqëson një subjekt politik që ka shprehur qëndrime të hapura kundër Soros. Kjo organizatë, që prej krijimit të saj në vitin 2010, ka ushtruar ndikim të dukshëm për të hapur këtë çështje”, deklaroi Visha. Në këtë moment ndërhyri vëllai i viktimës Erison Durda, i cili ofendoi avokatin, duke shkaktuar tension në sallë. Visha kërkoi nga gjyqtarja Irena Gjoka përjashtimin e palës së viktimave nga seanca për shkak të fjalorit të papërshtatshëm, por kërkesa nuk u pranua. Nga ana e tij, ish-ministri Fatmir Mediu u ankua se prej më shumë se një viti e gjysmë avokatët e tij depozitojnë kërkesa që nuk marrin përgjigje, duke e cilësuar procesin si të politizuar. “Ka një qasje politike në raport me çështjen. Një strukturë e ndërtuar politikisht që nga viti 2010, vetëm për këtë rast, nuk mund të jetë pjesë e këtij procesi. Këtë fakt nuk mund ta injoroni. Ju kërkoni të vijojmë sikur çdo gjë është normale”, tha Mediu. Avokatët e tij, mes tyre Henrik Ligori, kërkuan përjashtimin e gjyqtares Gjoka dhe ndërprerjen e procesit gjyqësor deri në marrjen e një vendimi mbi kërkesat e paraqitura. “Këtu është fyer drejtësia, jo vetëm kjo trupë gjykuese që ndodhet sot këtu. Është e pamundur të vijojmë procesin në këto kushte”, deklaroi Ligori.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related