Të paktën 13 persona, përfshirë një zjarrfikës, kanë vdekur dhe të paktën 16 të tjerë u plagosën rëndë në një zjarr të madh që ende vijon, në lagjen Tai Po të Hong Kongut, në Kinë.
Flakët kanë përfshirë të tetë ndërtesat e kompleksit Wang Fuk Court, me shumë banorë të bllokuar brenda apartamenteve të tyre.
Departamenti i Zjarrfikësve i tha Reuters se ende nuk kishte informacion mbi numrin e njerëzve që mund të jenë ende brenda ndërtesave.
Sipas mediave kineze, zjarri është ende duke u përhapur në disa pjesë të kompleksit, me Departamentin e Zjarrfikësve që nuk është në gjendje të bëjë një vlerësim të sigurt se kur flakët do të shuhen plotësisht.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët thonë se temperaturat brenda ndërtesave që po digjen po i vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve.
“Mbeturinat dhe skelat nga ndërtesa e prekur po bien, duke krijuar rrezik shtesë për personelin tonë në vijën e parë”, tha zëvendësshefi i zjarrfikësve.
Si u përhap zjarri?
Tym i dendur dhe i errët u përhap në qiell të mërkurën pasdite, ndërsa zjarri u përhap fillimisht në katër ndërtesa apartamentesh dhe më pas në të gjithë kompleksin. Policia tha se kishte raportime të shumta për njerëz të bllokuar brenda, dhe një burrë dhe një grua u gjetën pa ndjenja me djegie.
