Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë mësyrë ditët e fundit në Ministrinë e Financave, për të marrë nga arkivat e këtij institucionin, dokumentin zyrtar për faljen e gjobës 120 milionë euro, që ish-ministrja Anila Denaj u bëri kinezëve të “Bankers” në vitin 2019. Dosja e “Bankers Petroleum Albania” ka kaluar prej muajsh në SPAK dhe në kuadër të hetimeve, është kërkuar dhe dokumentacioni zyrtar që është mbajtur nga shteti shqiptar për këtë masë administrative, si dhe procedura e ndjekur për faljen e saj. Kompania “Bankers Petroleum” është gjobitur nga 3 inspektorë të Hetimit Doganor, pas Akt-Kontrollit Nr. 290345 Prot., datë 13.12.2016 dhe Akt Kontrollit e Proces-Verbalit të datës 22.09.2017, sepse refuzoi të lejonte kontrollin në depot doganore.
Vendimi për gjobë, është marrë i mbështetur në prova për evazion fiskal e kontrabandë, nëpërmjet fshehjes së prodhimit dhe import-eksporteve fiktive, që “Bankers Petroleum” bënte e vazhdon të bëjë me depot doganore. Pas ankimesh e trajtimesh gjyqësore, gjoba, ka qëndruar në fuqi si “Titull ekzekutiv” deri më 16 korrik 2019, por pa u paguar nga “Bankers Petroleum”, për shkak se institucionet ligj-zbatuese nuk janë lejuar të vepronin me masa shtrënguese (sekustro bankare). Më 2019, nga regjistri doganor, në rubrikën “Debitorët dhe gjobat”, rezultoi se ishte hequr gjoba 104 milionë Euro, detyrim i pashlyer nga kompania “Bankers”, pa dhënë asnjë sqarim publik.
Reagimi i Murrizit
Ish-deputeti Myslym Murrizi akuzon se Denaj ia fali gjobën Bankers me porosi të kryeministrit Rama. “Kjo është gjoba 120 milionë euro që ish-ministrja e Financave Anila Denaj ia “fali” BANKERS-it më 31 maj 2019 me porosi të “palloshit”. Për këtë gjobë kam folur në Parlament në vitin 2020 dhe ia kam lënë në dorë KM Ramës, ose siç e thërrasin “koleget” me përkëdheli, Palloshit, dhe nuk reagoi”, shkruan Murrizi. Ish-deputeti ka nxjerrë dhe dokumentin.
