Rusia ka krijuar Forcat e Sistemeve Pa Pilot (USF), një degë të re të ushtrisë e cila do të fokusohet plotësisht në zhvillimin, prodhimin dhe përdorimin e dronëve ajrorë, tokësorë dhe detarë. Kjo strukturë e centralizuar synon të bashkojë procesin e testimit dhe inovacionit teknologjik, duke e bërë përdorimin e dronëve një shtyllë kryesore të taktikave luftarake moderne.
Sipas raportimeve nga portali War Zone, Rusia tashmë ka krijuar regjimente dhe batalione të specializuara që punojnë ngushtë me zhvilluesit për të përmirësuar dronët dhe për t’i përshtatur ata ndaj kundërmasave ukrainase. USF po bashkon dronët me sistemet e luftës elektronike, që lejojnë operatorët t’i rikonfigurojnë menjëherë për të shmangur ndërhyrjet e armikut, gjë që i ka dhënë Moskës avantazh taktik në zona si Pokrovsku. Për të mbështetur këtë zhvillim, Rusia po rrit prodhimin e dronëve me kosto të ulët, duke transformuar fabrika të mëdha në qendra montimi. Një pjesë e rëndësishme e këtij suksesi është bashkëpunimi me Korenë e Veriut, e cila ka dërguar nga 10 deri në 25 mijë punëtorë për të ndihmuar në prodhimin e dronëve Shahed-Geran. Kjo aleancë Moskë-Phenian i jep Rusisë një avantazh në ruajtjen e kapaciteteve industriale përkundër sanksioneve, ndërsa i siguron Koresë së Veriut qasje në teknologji të reja ushtarake dhe përvojë teknike.
Sipas analizave, Pheniani po përdor këto njohuri për të zhvilluar paralelisht armë bërthamore dhe konvencionale, duke e bërë prodhimin e dronëve vetëvrasës një prioritet strategjik. Ky zhvillim tregon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si Rusia dhe aleatët e saj po e modernizojnë luftën, duke e zhvendosur atë drejt dominimit teknologjik dhe autonomisë ushtarake.
