Rusia shtrëngon rripin: ulen ndjeshëm shpërblimet për rekrutët e luftës në Ukrainë

Data

Një numër gjithnjë e më i madh i vendeve në Rusi po i ulin ndjeshëm shpërblimet për burrat që me vetëdëshirë nënshkruajnë për të luftuar në Ukrainë. Kjo që tregon si telashet buxhetore të shkaktuara nga ekonomia e dobësuar e Rusisë, ashtu edhe ndryshimet në prioritetet e forcave të armatosura.

Në javët e fundit, të paktën tetë rajone, kryesisht në rajonin qendror të Vollgës, por edhe në rajonin e gjerë subarktik të Jamal-Nenets, i kanë ulur pagesat që u jepen burrave që nënshkruajnë kontrata për t’iu bashkuar ushtrisë.

Kjo përfshin edhe rajonin e Samarës, ku vullnetarët e rinj – të njohur gjerësisht si “kontraktniki” – tani marrin vetëm 400.000 rubla, apo rreth 5.000 dollarë, në momentin e nënshkrimit, më pak se një maksimum prej 3.6 milionë rublash në janar.

Vlerësimet tregojnë se mbi 1 milion janë vrarë dhe plagosur, por Rusia e ka vazhduar luftën e saj tashmë gati katërvjeçare në Ukrainë falë një sistemi të përbërë mobilizimi dhe rekrutimi.

Sistemi i rekrutimit është mbështetur në një kombinim pagesash federale nga Ministria e Mbrojtjes, dhe pagesash lokale nga qeveritë rajonale që janë urdhëruar t’i plotësojnë kuota të caktuara. Në disa raste, edhe qytete apo komuna të veçanta kanë kontribuar në shpërblimet e nënshkrimit.

Vullnetarët janë joshur me paga jashtëzakonisht të larta dhe shpërblime të menjëhershme, si edhe përfitime bujare për familjet e të vrarëve. Në disa rajone, shuma që merr një rekrut i ri tejkalon pagën vjetore mesatare.

Këto para ua kanë mundësuar komandantëve dhe udhëheqësve politikë ta shmangin një mobilizim tjetër të papëlqyeshëm, si ai i shtatorit 2022. Po ashtu, kanë gjallëruar ekonomitë lokale në rajonet e varfra, që ndodhen larg qyteteve të pasura si Moska dhe Shën Petersburgu.

“Punë për burra të vërtetë”

Në rajonin e Vollgës, Tatarstan, i cili ka pësuar një nga shkallët më të larta të viktimave në gjithë Rusinë, pagesat janë ulur ndjeshëm këtë vit: nga 2.7 milionë rubla në 400.000 rubla.

Bonusi prej 400.000 rublash – që është minimumi i kërkuar nga autoritetet federale – plotësohet me një shumë të barabartë nga Ministria e Mbrojtjes, sipas reklamave të publikuara në faqet e agjencive rajonale të lajmeve dhe mediave shtetërore.

Në Bashkortostan, një rajon tjetër qendror me humbje të mëdha njerëzore, bonusi i nënshkrimit prej 1.6 milion rublash është ulur në 600.000 rubla.

Në Mari El, një republikë e vogël dhe e varfër e Vollgës, autoritetet kishin ofruar më herët këtë vit shpërblime prej 2.6 milionë rublash, duke e bërë atë një nga rajonet me pagesat më të larta në vend. Sipas të dhënave zyrtare, rajoni kishte arritur të rekrutojë 1.300 burra në gjashtëmujorin e parë të 2025. Tani, bonuset janë ulur në 400.000 rubla.

Ligjvënësi Mihail Deljagin, anëtar i komitetit të politikës ekonomike në Parlament, tha se këto ulje vijnë si pasojë e shkurtimit të transfereve nga buxheti kombëtar.

“Ky është rezultat i politikave të Ministrisë së Financave… që po e shtrydh vendin, përfshirë rajonet e pasura si Bashkortostani”, tha ai për RTVi në qershor.

Fushatat e reklamave të Ministrisë së Mbrojtjes në billboarde, rrjete sociale dhe faqe punësimi, theksojnë përfitimet financiare të rekrutimit për të luftuar në Ukrainë. Në disa raste, ato i drejtohen posaçërisht njerëzve me vështirësi ekonomike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related