Balluku shmang SPAK, por prokuroria nis fletë-thirrjen e radhës

Data

Dje në orën 10:00 zëvendëskryeministrja Belinda Balluku duhej të paraqitej në SPAK, si person nën hetim për shkelje të barazisë në tenderin për tunelin e Llogarasë. Fletë-thirrja nga SPAK që i kishte shkuar në ministri u zbulua nga mediat të premten, ndërsa po atë ditë Balluku tregoi se nuk ndodhej në Shqipëri, kur u shfaq duke udhëtuar me tren në Zvicër për qëllime pune. Mes komenteve në rrjet, ku disa e konsideruan këtë si një arratisje të Ballukut nga autoritetet, ajo u rikthye të shtunën në Tiranë, duke e shfaqur veten live në një inspektim në Rinas. Në dukje si një përgjigje për zërat për arratisje dhe në pritje që ajo të paraqitej dje në SPAK, Gazment Bardhi tregoi se Balluku ishte larguar sërish nga Shqipëria. Vetë Balluku konfirmoi dje se e ka nisur javën jashtë Shqipërisë. Këtë herë në Bukuresht.

Pra ajo iu shmang SPAK. Por ministrja nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë. Gazeta “SOT” ka mësuar se prokurori i çështjes, Dritan Prençi, ka vendosur të rinisë procedurën ligjore, duke i dërguar një tjetër fletë-thirrje zyrtare. Dokumenti është përcjellë sërish në adresë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku Balluku mban detyrën e titullares. Në njoftim, asaj i kërkohet të paraqitet më 31 tetor  në orën 15 dhe të jetë e shoqëruar nga përfaqësuesi i saj ligjor. Prokuroria e posaçme ka paralajmëruar se, në rast të mungesës së pajustifikuar, ata do t’i shkojnë kudo që të jetë ministrja. Nëse Balluku do të refuzojë që të paraqitet në SPAK, ligji e përcakton se duhet të thirret me forcë, përmes futjes në lojë të policisë. Balluku është nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderat publikë”, ndërsa në ditët në vijim pritet t’i komunikohet formalisht kjo akuzë. Ky zhvillim vjen në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK mbi procedurat e tenderimeve në institucionet që ajo ka drejtuar, pas arrestimit të disa ish-vartësve të saj në Ministri dhe në Entin Kombëtar të Rrugëve.

Si ka shkuar SPAK deri te Balluku?

Gazetarja Klodiana Lala tregoi dje me detaje se si hetimet derivuan deri tek Belinda Balluku.  “Belinda Balluku është zyrtarisht nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, për rastin e tunelit të Llogarasë. Hetimet kanë derivuar nga dosja e Evis Berberit. Në pranverë të këtij viti u arrestua Evis Berberi për disa akuza, ndër to edhe atë për korrupsion. Gjatë kontrollit në banesën e Berberit u sekuestrua celulari i tij, bashkëshortes dhe i përdorur më herët nga çifti. Janë gjetur të dhëna ku zbulohet se Balluku është e përfshirë në abuzime me tenderat. Në momentin kur zonjës Balluku do t’i komunikohet akuza, SPAK do të ketë edhe njoftim zyrtar për këtë çështje”, tha më tej gazetarja. Sipas Lalës, hetuesit gjithashtu pretendojnë se Balluku, kryeministri Edi Rama dhe 2 biznesmenë turq që kanë fituar tenderin e tunelit të Llogarasë, kanë qenë së bashku në një takim në Turqi. Lala tha se tenderi për këtë investim, ishte fituar më parë nga kompania Gjoka shpk dhe më pas është anuluar dhe rifituar nga kompania turke. Më tej, ajo shtoi se përmes një pajisje dhe përmes gjurmimit me ndihmën e ekspertëve amerikanë janë rikuperuar të dhëna, jo vetëm këto, por dhe të dhëna të tjera të lëvizjeve. “Ajo çfarë e zbuloi zonjën Balluku është telefoni i zotit Berberi. Hetuesit pretendojnë psh, në një takim në Turqi, mes zonjës Balluku, kryeministrit dhe 2 biznesmenëve turq që kanë fituar tenderin, që ishte fituar më parë nga kompania Gjoka shpk dhe më pas është anuluar dhe rifituar nga kompania turke. Ka rezultuar se fotot se pasi ka deklaruar Ahmetaj në një intervistë televizive janë zhdukur këto foto nga rrjetet sociale. Përmes një pajisje dhe përmes gjurmimit me ndihmën e ekspertëve amerikanë janë rikuperuar të dhëna, jo vetëm këto, por dhe të dhëna të tjera të lëvizjeve dhe më pas është bërë krahasimi mes bisedave nga Ervis Berberi, lëvizjet në TIMS të Ballukut e Ramës po ashtu dhe të dhënave të marra nga burime të hapura, intervistat, deklaratat etj. dhe e gjithë kjo thonë hetuesit, ka derivuar situata. Prokurorët po vijojnë hetimet në disa dosje. Dy celularë janë marrë të premten e shkuar dhe janë të dy bashkëpunëtoreve më të ngushta të saj, është kontrolluar dhe një zyrë e cila mendohet se ka dokumente që lidhen me praktikat e këtyre tenderave”, tha Klodiana Lala.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related