Aeroporti i Vlorës: Si një skemë fiktive dhe 4,200 euro rrëzoi koncesionin dhe ekspozoi Ballukun

Data

Koncesioni i ndërtimit të aeroportit të Vlorës është rrëzuar në themelet e tij, pasi kompania e Behgjet Pacollit rezulton të mos plotësojë kriteret ligjore për eksperiencë në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve. Dokumenti i publikuar së fundmi mban firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe zbulon mënyrën se si ajo ka miratuar në mënyrë të paligjshme kalimin e aksioneve të kompanisë turke “YDA Group”,  të vetmes që garantonte kriterin teknik të koncesionit.

Në qendër të kësaj afere që po trondit qeverinë Rama ndodhet një skemë e qartë manipulimi, ku fituesit e tenderit,  biznesmenët kosovarë Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi  kanë përfituar kontratën për ndërtimin e aeroportit përmes ndryshimeve në dokumentet e garës, të miratuara nga Belinda Balluku. Ndërkohë, oferta britanike që do ta ndërtonte aeroportin me një shumë më të ulët u përjashtua me pretekste formale. Pas përfundimit të procedurës, kompania turke “YDA Group”, e vetmja që kishte përvojë reale në ndërtim dhe menaxhim aeroportesh, u tërhoq duke shitur 40 për qind të aksioneve për vetëm 4,200 euro, një lëvizje që e bën koncesionin të pavlefshëm dhe që është firmosur personalisht nga Balluku në dhjetor 2022. Ky dokument është prova që rrëzon gjithë projektin dhe ekspozon aferën e drejtpërdrejtë të zv/kryeministres me biznesmenin kosovar.

Çfarë ka ndodhur?

Që në vitin 2017, Edi Rama planifikoi të jepte pa garë dhe pa tender tek një kompani turke këtë aeroport. Madje në parlament u depozitua një projektligj special, “Për Përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negociimin dhe Lidhjen e Kontratës ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe Shoqërive “Cengiz Construction & Kalyon & Colin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të qytetit të Vlorës”. Për zbatimin e tij u caktuan të negocionin kontratën në janar 2018 ministrat Ahmetaj e Gjiknuri. Por diskutimet e dy ministrave me kompaninë dështuan. Një nga arsyet qëndronte tek shuma me të cilën do të kompensohej kompania private.

Atëherë u përfol se palët nuk ranë dakord për shifrën që do të merrnin si kompensim turqit nëse aeroporti nuk do të arrinte numrin e parashikuar të fluturimeve dhe pasagjerëve. Sot një gjë e kemi të faktuar. Kjo shumë do të jetë 140 milionë euro, pra më e madhe se i gjithë investimi i biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi që po përleshen për 130 milionë eurot që thuhet se kanë hedhur në këtë projekt. Por nga dështimi i planit të parë për konkludimin e ligj special deri tek organizimi i një tenderi të dytë fallco, nuk kaluan vetëm më shumë se dy vite e ca, aty ndodhi edhe një ndryshim tjetër. Në skenë del Balluku. Tashmë janë të njohura të gjitha shkeljet dhe manipulimet me tenderin e hapur në fund të vitit 2021, që shpalli fitues Behgjet Pacollin, Valon Ademin dhe kompaninë turke YDA Group, që ishte e domosdoshme për të plotësuar kriterin e një partneri që kishte eksperiencë në menaxhimin e aeroporteve. Kompania rivale me ta, britanikja AL-DE Corporation LTD, që zotohej ta ndërtonte veprën me 80 milionë euro (pra me shumë më pak para), u skualifikua nga gara me justifikimin banal se nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e plotë. Sikur kjo të mos mjaftonte rregullat e garës u ndryshuan vetëm 4 ditë para zhvillimit të saj në favor të Pacolli & CO. Nëse fillimisht ishte kërkuar që të ndërtohej një aeroport për 10 milionë pasagjerë dhe me dy kulla kontrolli.

Kapaciteti u zbrit në 2 milionë dhe kullat përfunduan në 1. Por, edhe pasi gara manipulative përfundoi me fitoren e bashkimit Mabco Construction e Pacollit me 58 për qind, YDA Group, e turqve që kishin ndërtuar edhe spitalin elektoral të Fierit me 40 për qind dhe 2A Group e Valon Ademit me 2 për qind, surprizat nuk reshtën. Turqit e YDA Group u tërhoqën menjëherë pas përfundimit të procesit duke paguar një shumë qesharake, 4200 euro për 40%-shin e tyre. Dhe pikërisht këtu shfaqet fuqishëm roli i errët i Belinda Ballukut. Me fuqinë e ministres që përfaqëson Autoritetin Kontraktor ajo s’duhej ta miratonte këtë kalim aksionesh. Tenderi ishte fituar vetëm falë prezencës së turqve që kishin edhe garancinë financiare edhe mbi të gjitha atë teknike për ndërtim aeroportesh. Nëse ata largoheshin gara quhej e pavlefshme. Por në dhjetor të vitit 2022, Belinda Balluku e ka miratuar këtë shitje aksionesh që është bërë edhe molla aktuale e sherrit mes dy aksionerëve të mbetur.

Akuzat e Bardhit ndaj Ballukut

Edhe kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u shpreh ditën e djeshme se ky dokument, provon implikimin e Ballukut në këtë aferë. Bardhi shprehet se dokumentacioni zyrtar i procedurës tregon qartë se kompanitë Mabco Construction dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret ligjore për të fituar koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Për këtë arsye, gjatë aplikimit, ato futën në mënyrë fiktive në konsorcium kompaninë turke YDA Group, e vetmja me eksperiencë reale në ndërtimin e aeroporteve. “Por vetëm një vit pas shpalljes fitues, YDA Group u tërhoq nga zotërimi i 40% të aksioneve. Aksionet u shitën tek njëra nga kompanitë koncesionare për shumën qesharake prej 4 450 euro. Pra, 40% e një aeroporti ndërkombëtar, me fitime të parashikuara mbi 700 milionë euro, u vlerësuan sa një makinë e vjetër e përdorur! Në çdo shtet normal, ky akt do të kishte anuluar automatikisht koncesionin. Por në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, nuk ka asgjë normale – ka vetëm korrupsion, vjedhje dhe zhvatje”, shkruan Bardhi në Facebook.

Sipas demokratit ministrja përgjegjëse për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku, miratoi tërheqjen e kompanisë turke pa bërë asnjë zhurmë, pa ngritur asnjë shqetësim dhe duke pranuar zyrtarisht fiktivitetin e gjithë procedurës. “Do të mjaftonte vetëm publikimi i shkresës, ku Belinda Balluku lejon transferimin e aksioneve dhe pranon zyrtarisht fiktivitetin e procedurës, që sot SPAK të kishte shkuar në zyrën e saj për ta nxjerrë prej aty dhe për ta mbyllur në Pjoskë. Ky krim nuk është edhe aq intelektual sa t’i shpenzojë SPAK-ut shumë kohë për ta hetuar. Procedura fiktive është në letra. Në letra janë edhe lidhjet familjare të Belinda Ballukut me njërën prej kompanive koncesionare. Krimi është njësoj flagrant si afera tjetër e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me 53 milionët eurot PLUS të Tunelit të Llogarasë. Edhe ky një krim aspak intelektual, por dosja e të cilit qëndron ende e paprekur në SPAK. Faktet janë publike, dokumentet ekzistojnë. Çështja është se na duhen prokurorë që nuk kanë vija të kuqe të paracaktuara për pandëshkueshmërinë apo prokurorë që nuk intimidohen nga krimi i organizuar. Kjo mbetet ende për t’u provuar”, shkruan ndër të tjera Bardhi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related