AKSHI zgjedh Kreatx-HardTech fitues të tenderit 1.95 mln €, përplasja Meçe-Beqiri bllokon projekte publike

Data

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka përzgjedhur bashkimin e kompanive “Kreatx” dhe “HardTech” si fitues të tenderit për “përmirësimin e platformës së shërbimit konsullor online”, me një vlerë prej rreth 1.95 milionë euro pa TVSH, pavarësisht se oferta e tyre ishte më e larta mes tre operatorëve pjesëmarrës. Sipas dokumenteve që ka konsultuar “Skyweb.al”, në garë morën pjesë pesë kompani, nga të cilat vetëm tre dorëzuan ofertat e tyre. Ndër to, bashkimi i kompanive “Advanced Business Solutions – ABS” e Gerond Meçes, përfituesi kryesor i tenderëve të AKSHI-t dhe “DataLog”, në pronësi të Sokol Sinanit, po ashtu i përfolur për afera me tenderët e AKSHI-t dhe lidhje e ngushtë ish-ministrit të arrestuar Ilir Beqaj, kishte ofruar çmimin më të ulët, rreth 1.6 milionë euro, por u skualifikua për shkaqe teknike, lidhur me mungesën e autorizimit për platformën “Oracle”, mbi të cilën operon sistemi.

Megjithëse oferta e Kreatx dhe HardTech ishte rreth 350 mijë euro më e lartë, ajo u vlerësua si “ekonomikisht më e favorshme” dhe u shpall fituese. Në dokumentet zyrtare rezulton se aksioner në kompaninë “Kreatx” është z. Panajot Gjiknuri, vëllai ish-ministrit Damian Gjiknuri. Gjatë muajve të fundit, kompania e tij ka fituar disa tenderë të rëndësishëm në institucionet qendrore, ndërsa shpesh është përplasur në Komisionin e Prokurimit Publik me konkurrentë të tjerë të mëdhenj të tregut të teknologjisë, përfshirë Ermal Beqirin dhe Gerond Meçen. Gerond Meçe dhe Ermal Beqiri po luftojnë ndërkohë me njeri-tjetrin për “copat” e mëdha të tenderëve të AKSHI-t. Tenderi me fond limit 2.08 milionë euro pa TVSH ka për objekt modernizimin e platformës konsullore të shtetit shqiptar, me afat zbatimi 33 muaj. Pavarësisht ankesave për skualifikime të diskutueshme dhe ofertën dukshëm më të lartë të fituesve, AKSHI e ka konsideruar procesin në përputhje me ligjin, ndërsa afatet për ankim kanë nisur të ecin sipas parashikimeve të ligjit “Për Prokurimin Publik”.

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkohë kujtojmë se përplasja mes biznesmenëve Gerond Meçe dhe Ermal Beqiri në lidhje me tenderat publikë të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është thelluar ndjeshëm gjatë muajve të fundit, duke bllokuar thuajse të gjithë tenderët e mëdhenj të AKSH-t. Prej kohësh, tenderat e AKSHI-t kanë mbetur pezull për shkak të ankesave të përsëritura të paraqitura nga Meçe, ndërsa nga raportime të ndryshme mediatike, Beqiri duket se e akuzon këtë të fundit për ngritjen e një skeme bllokimi të qëllimshëm përmes proceseve ekstraligjorë. Siç mëson Skyweb.al, në qendër të përplasjes së fundit është tenderi me vlerë 4 milionë euro pa TVSH, me objekt “Përmirësimi i infrastrukturës hardware për sistemet doganore dhe rrjetet fizike”.

Më 14 tetor 2025, në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) është depozituar një ankesë nga bashkimi i operatorëve ekonomikë Infosoft Systems dhe Horizon. Kompania “Horizon”, e blerë nga Ermal Beqiri pak më shumë se një vit më parë për 380 mijë euro, ka fituar rreth 14 milionë euro tendera publikë në pesë vitet e fundit, kryesisht nga AKSHI. Në ankesën e tyre, dy kompanitë kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) të AKSHI-t, i cili i kishte skualifikuar nga gara pa dhënë arsye të qarta. Në dokumentin e dorëzuar në KPP thuhet: “Shfuqizimi i vendimit të Komisionit të vlerësimit të ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga operatori ekonomik, bashkimi i operatorëve ekonomikë (BOE) ‘Infosoft Systems’ SHPK & ‘Horizon’ SHPK, në procedurën e prokurimit ‘E hapur, mbi kufirin e lartë monetar’, me nr. REF-42481-03-26-2025, me objekt ‘Përmirësimi i infrastrukturës hardware për sistemet doganore dhe rrjetet fizike’, me fond limit 387,500,000 lekë (pa TVSH), zhvilluar më 05.05.2025 nga autoriteti kontraktor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.” Vetëm pak orë pas dorëzimit të ankesës, KPP urdhëroi AKSHI-n të publikojë arsyet e skualifikimit. Në përgjigjen e saj, AKSHI argumentoi se: “Pas verifikimit të dokumentacionit fizik të BOE vihet re se nuk është paraqitur certifikata CSP për stafin, por është paraqitur Certifikata e Sigurisë Industriale. Në mungesë të certifikatave nuk mund të shohim detaje se për ku janë lëshuar këto certifikata. Referuar sa më sipër, BOE ‘Infosoft Systems’ sh.p.k dhe ‘Horizon’ sh.p.k skualifikohet.” Menjëherë pas kësaj, kompania Advanced Business Solutions, në pronësi të Gerond Meçes, dorëzoi një tjetër ankesë në KPP lidhur me të njëjtin tender, vetëm pak minuta para përfundimit të orarit zyrtar. Përmbajtja e ankesës pritet të bëhet publike në orët në vijim, ndërkohë që tenderi i shpallur që në mars 2025 mbetet i bllokuar deri në një vendim final të KPP. Përplasja mes dy biznesmenëve po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e tenderave të AKSHI-t, duke bllokuar miliona euro projekte publike. Vetëm kompania Soft & Solution e Ermal Beqirit ka përfituar mbi 24 milionë euro tendera gjatë pesë viteve të fundit, ndërsa Advanced Business Solutions e Gerond Meçes ka marrë rreth 50 milionë euro, po në të njëjtën periudhë. Konkurrenca mes tyre, dikur e heshtur, tashmë është shndërruar në një përballje të hapur ligjore në KPP dhe më gjerë, duke paralizuar përkohësisht një pjesë të rëndësishme të prokurimeve publike në fushën e teknologjisë së informacionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related