Bajram Begaj shkel Kushtetutën me të dyja këmbët, nga punësimi i tij në kohën e lirë, rroga 30 mijë euro e të birit…

Data

Tirana duket se është tronditur nga një stuhi politike që mund të çojë në rrëzimin e Presidentit të Republikës, Bajram Bega. Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ka hedhur një bombë politike në Kuvend, duke depozituar kërkesën për shkarkimin e kreut të shtetit me akuzën se ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët. Shtatë shkelje të rënda përbëjnë dosjen që opozita ia dorëzoi Kuvendit, duke e cilësuar Begajn si “presidentin më të politizuar në 35 vite demokraci”. Në qendër të akuzave qëndron dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve në Tiranë, që sipas Bardhit, “ka futur vendin në një ngërç institucional dhe ka përmbysur ndarjen e pushteteve”. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Bardhi zbuloi se Begaj ka dekretuar edhe “ministren virtuale Diella”, një vendim që opozita e quan “fantazmë ligjore”, sepse krijon një strukturë qeveritare jashtë çdo kuadri kushtetues. Në një tjetër front, akuzat zbulojnë një rrjet të dyshimtë përfitimesh financiare. Djali 23-vjeçar i Presidentit, që ndodhet jashtë shtetit për studime, rezulton i punësuar “fiktivisht” në një kompani sigurimesh që, sipas dokumenteve, përfiton tendera nga vetë Presidenca. Rroga e tij? 30 mijë euro në vit, e barabartë me drejtorin e kompanisë! “Presidenti jep tenderët dhe kompania i punëson djalin! Kjo është kapje e pastër e shtetit nga familja Begaj”, deklaroi Bardhi, duke paralajmëruar kallëzim penal në SPAK. Për më tepër, vetë Begaj akuzohet për dypunësim të ndaluar nga Kushtetuta – ditën president, natën konsulent i një klinike private dhe pedagog në Akademinë Ushtarake. “Ku ka lekë, aty gjendet Begaj!”, u shpreh Bardhi me tone të forta.

Prapaskenat

Opozita e akuzon gjithashtu për përfshirje të trupës diplomatike në fushatën e PS-së, duke “shkrirë shtetin me partinë në pushtet” dhe duke “humbur rolin neutral që kërkon Kushtetuta”. Në një klimë politike të mbarsur me tension, PD kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Begajt, duke e cilësuar atë “president të Edi Ramës, jo të Republikës”. Kjo është hera e parë në historinë e pluralizmit që një President akuzohet për kaq shumë shkelje njëherësh – një dosje politike që mund të trazojë themelet e Presidencës shqiptare. Nëse Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese e pranojnë kërkesën, Shqipëria mund të përballet me një precedent të paprecedentë: rrëzimin e një Presidenti për korrupsion, nepotizëm dhe kapje të shtetit.

7 shkeljet që opozita pretendon se janë kryer nga presidenti Bajram Begaj:

  1. Dekretoi zgjedhje në Tiranë në shkelje të Kushtetutës
  2. Ndërhyri në mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i preku pavarësinë
  3. Dekretoi në shkelje ligjin për Komisionet Hetimore
  4. Dekretoi ministren virtuale ‘Diella’
  5. S’ndali trupën diplomatike nga përfshirja në fushatën e vitit 2025
  6. Kabineti i tij ndërhyri në procesin e administrimit të zgjedhjeve
  7. I biri i punësuar fiktivisht në një kompani private sigurimesh që përfiton tendera nga presidenca/ Vetë Begaj i punësuar në një klinikë private

Parashikimet në ligj

Ndërkohë kujtojmë se shkarkimi i Presidentit të Republikës, sipas nenit 90 të Kushtetutës së vendit, bëhet vetëm për shkelje të rënda të ligjit themelor dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit bëhet nga të paktën 35 deputetë dhe duhet miratuar në seancë plenarë nga të paktën 94 ligjvënës. Por shkarkimi eventual nga Kuvendi në të gjitha rastet i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila është ajo që vërteton fajësinë dhe deklaron shkarkimin e Presidentit nga detyra.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related