Kandidatët që synojnë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) pas 18 dhjetorit kur mandati i Altin Dumanit përfundon do të kenë kohë deri më 8 tetor për shpalljen e kandidatura. Në prani të përfaqësuesve të ambasadës amerikane në Tiranë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë çeli zyrtarisht dje garën. “Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më datë 8 tetor 2025. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Shpallet në Tiranë, sot më datë 17 shtator 2025. Me 11 vota pro, asnjë kundër miratohet”, tha kryetarja e KLP. Relatori Sokol Stojani propozoi 2 javë afat, por Vate Staka kërkoi që afati të jetë 3 javë, ndërsa u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kreun e SPAK.
Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë. “I bëjmë thirrje prokurorëve të SPAK të aplikojnë, dorëzojnë platformën e tyre mbi çështjet me rëndësi dhe interes publik”, tha Stojani. Prania e përfaqësuesve të ambasadës amerikanë tregon se, ashtu siç 3 vite më parë kur u zgjodh Dumani nën monitorimin e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim, edhe këtë herë ky proces do të ketë vëmendje ndërkombëtare. Vetëm pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
