Historia e Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk është thjesht një mandat i mbyllur. Është një shembull i qartë sesi klientelizmi dhe pazaret institucionale vendosin mbi meritën, duke lënë qytetarët pa përgjigje dhe drejtësinë peng të interesave politike.
Më 1 shtator 2025, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi të lirojë nga detyra Aida Hajnajn, me argumentin se mandati i saj përfundoi më 31 gusht. Por kjo nuk ishte surprizë. Në fakt, edhe hyrja e saj në këtë post u shoqërua me dyshime të thella: që përpara se të hapej gara, emri i saj ishte vendosur si fituese. Kandidatët e tjerë morën pjesë vetëm për të plotësuar procedurën, ndërsa vendimi real ishte marrë më parë.
Asokohe, as KLP dhe asnjë institucion tjetër nuk dha ndonjëherë një shpjegim të qartë mbi arsyet pse u përzgjodh pikërisht Hajnaj. Pyetjet mbi kriteret e emërimit mbetën pa përgjigje, duke forcuar perceptimin se nuk ishte meritokracia që vendosi, por marrëveshjet e prapaskenës.
Një tjetër pikë që shton dyshimet është mënyra se si ajo kaloi testet fizike të detyrueshme për kandidatët, përfshirë provën e vrapimit. Publiku nuk mori asnjëherë një informacion zyrtar mbi rezultatet e saj. Heshtja institucionale mbi këtë aspekt vetëm sa forcon bindjen se rregullat nuk vlejnë për të gjithë njësoj.
