Si një ministër i qeverisë i fshin borxhet milionëshe kompanisë së tij dhe e lë biznesin të funksionojë pa asnjë kontroll…
Përveç përfitimit të 151 milionë lekëve nga Landfilli i Tiranës, me kontrata fiktive për dhënie makinash me qira, dhe miliona lekëve të tjera të përfituara nga institucionet shtetërore, kompania “Albarant Sh.p.k” e ministrit Blendi Gonxhe është përfshirë në një skandal tjetër financiar që trondit sistemin tatimor shqiptar.
Më 15 tetor 2021, me Urdhër Nr. 13277, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes Drejtorisë së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, bllokoi pasuritë e “Albarant Sh.p.k”, pasi kompania nuk kishte paguar detyrimet fiskale për shtatë vite.

Raporti i Tatimeve vërtetonte se kompania në pronësi të Blendi Gonxhes, me administratore bashkëshorten e tij, Elda Gonxhja, nuk kishte paguar 1.2 milionë euro detyrime tatimore për vitet 2015-2021.
