Dy ditë më parë u dha lajmi se SPAK mori në pyetje, për mbi tre orë, ish deputetin e PS-së, Alqi Bllako, që Rama i’a rrëmbeu LSI-së, në kuadër të hetimit që po bën për Eko Parkun në Durrës. Ky është një tjetër skandal i kësaj qeverie, e cila, gjoja me pretekstin e tërmetit, anulloi një garë të hapur me tender në vitin 2019 dhe pak ditë më pas e dha pa garë ndërtimin e parkut që do të ngrihej mbi landfillin e Porto Romanos.
Por, interesantja në këtë pikë nuk janë vetëm dyshimet për korrupsion. As fakti se për çdo vjedhje që është bërë në këtë vend SPAK-u shkon tek i ngrati Alqi Bllako, i cili deri më tani ka dy dënime për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit dhe po hetohet edhe për atë të Tiranës.
E bukuara është se Bllako, një ish ushtar i LSI-së, sekretar në ministrinë e Lefter Kokës, sekretar i Përgjithshëm i presidencës në kohën e Metës, e braktisi partinë mëmë se i besoi më shumë Edi Ramës. Dhe vetëm pak kohë më pas, kur sapo qe bërë deputet i socialistëve në zgjedhjet e 2021, përfundoi në burg. Prezenca e tij në kuvend zgjati nga shtatori i këtij viti deri në mars 2022 kur deputetët e PS, votuan pro burgosjes së tij të kërkuar nga SPAK.
Megjithëse i zhgënjyer, ai tentoi të arratisej jashtë, por një premtim i panjohur e ktheu në vend dhe e detyroi të pranojë qelinë, ku gjendet edhe sot pas tre vitesh.
Por ky nuk është i vetmi tradhëtar i Metës, që e ka pësuar keq nga kalimi tek Edi Rama. Ish shefi i tij, Lefter Koka ka ndjekur pak a shumë të njëjtën trajekrore. Sapo u bë deputet i PS në 2021, duke i dhënë fitoren Ramës në Durrës, ai u detyrya të japë dorëheqjen. Në tekstin e këtij hapi të papritur politik, të cilin dukej qartë se nuk e kishte shkruar vetë, ai shprehej: se “…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”, duke pretenduar se po i linte vendin brezit të ri. Por, pak muaj pasi la mandatin ai përfundoi në pranga. Vëllai i tij në një deklaratë publike pohoi se dorëheqjen ia kishte kërkuar Rama, në këmbim të paprekshmërisë nga drejtësia duke thënë se kryeministri e pati mashtruar.
